Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Shembulli kroat, paralajmërim për Kosovën – Tali: Serbia kupton vetëm gjuhën e forcës

 
   

Ish-këshilltari politik, Driton Tali, ka deklaruar se Kosova duhet të armatoset seriozisht për të pasur kapacitet mbrojtës dhe kundërsulmues ndaj Serbisë në rast agresioni.

“Derisa Kosova nuk armatoset për të qenë në gjendje që në rast sulmi të zhvendosë luftën në territorin e Serbisë, nuk ka ndryshime në qasje – me Asociacion apo pa, me kompetenca ekzekutive apo jo,” shkroi Tali.

Ai theksoi se armatimi duhet të bëhet publikisht, në mënyrë që qytetarët serbë të jenë të vetëdijshëm për pasojat nëse udhëheqësit e tyre vendosin “ta rikthejnë Kosovën në Serbi”.

Sipas Talit, vetëm përmes fuqizimit ushtarak, Kosova mund të krijojë balancë të vërtetë sigurie. Ai përmendi shembullin e Kroacisë, duke kujtuar se “derisa Kroacia ishte përtoke, Serbia bombardoi edhe Splitin e Zagrebin, e jo vetëm Vukovarin e Dubrovnikun. Por kur u armatos Kroacia, serbët u larguan nga ‘Republika Serbe e Kninit’ pa rezistencë.”

Postimi i plotë:

Pa dashtë ta luaj strategun ushtarak, por për aq sa e njoh “këtë Serbi”, derisa Kosova nuk armatoset për të qenë në gjendje për të kundërsulmu Serbinë në territorin e saj, në rast sulmi – pra zhvendos luftën në territor të Serbisë – nuk ka ndryshime në qasje, me Asociacion apo pa dhe qoftë me kompentenca ekzekutive apo pa to.

Prandaj Kosova duhet armatosur me ato armë dhe bërë publike ashtu që qytetarët e Serbisë ta dijnë se çka i gjenë në rast se udhëheqësit e tyre vendosin “ta rikthejnë Kosovën në Serbi”.

Deri atëhere nuk e pres ndryshimin e duhur rrënjësor në qasjen ndaj Kosovës. Qoftë edhe me rënien e Vuçiçit dhe ardhjen e “bllokerëve” në pushtet.

Të marrim mësim nga Kroacia. Derisa Kroacia ishte përtoke “kjo Serbi” e bombardoi edhe Splitin e Zagrebin, se lere Vukovarin dhe Dubrovnikun “serb”.

E kur u armatos Kroacia ikën nga “Republika Serbe e Kninit” pa kapuq.

Bile edhe kolonave të refugjatëve rrugës ju shitnin shishet e ujit katërfish më shtrenjtë se lere më që nuk i çuan “delitë” me luftu për atë “tokë të shenjtë serbe”