
Deputetja e Vetëvendosjes Shqipe Mehmeti Selimi, nuk ka votuar sot për Donika Gërvallen, e cila ishte kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Në pamjet që shihen nga Kuvendi i Kosovës, deputetja e VV-së, Shqipe Selimi nuk ka votuar fare gjatë procesit të votimit për deputetennga radhët e koalicionit Guxo–LVV–Alternativa, Donika Gërvalla.
Deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti Selimi është bashkëshortja e Rexhep Selimit.
Për këtë proces të votimit, KosovaPress ka tentuar të kontaktojë deputeten Selimi, por nuk e ka hapur telefonin.
Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish në konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryeparlamentare sërish emrin e Albulena Haxhiut.
Deputetët e partive të tjera nuk dhanë përkrahje për kandidaturën e saj rrjedhimisht Haxhiu mori 57 vota pro 56 vota kundër dhe 3 deputetë abstenuan.
Pas kandidaturës së Haxhiut, kandidatura tjetër e LVV-së ishte Donika Gërvalla.
Njëjtë si Haxhiu, as emri i Gërvallës nuk gjeti përkrahjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime nuk mjaftuan që Gërvalla të zgjidhet kryeparlamentare.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përfundoi seancën e sotme duke caktuar 22 gushtin si datë të mbledhjes tjetër të deputetëve.
Seanca e radhës mbahet të premten në ora 11:00.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tre herë.