Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Një i vdekur nga sulmi i tretë më i madh rus ndaj Ukrainës këtë vit

Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet ajrore më të mëdha të këtij viti ndaj Ukrainës, duke lëshuar 574 dronë dhe 40 raketa balistike e lundruese gjatë natës, njoftoi të enjten Forca Ajrore Ukrainase.

Ky sulm masiv vjen ndërkohë që përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës trevjeçare janë intensifikuar.


Reklamë

Sipas ushtrisë ukrainase, objektivi kryesor i sulmit ishin rajonet perëndimore të vendit, ku besohet se dorëzohen dhe ruhen furnizimet ushtarake të dërguara nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Si pasojë e sulmeve, një person humbi jetën dhe 15 të tjerë u plagosën, sipas autoriteteve lokale.

Ky është sulmi i tretë më i madh ajror i Rusisë për këtë vit sa i përket numrit të dronëve të përdorur dhe i teti më i madh për sa i përket raketave, bazuar në të dhënat zyrtare, të cituara nga Associated Press.

Ngjarja ndodhi në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po udhëheqin një përpjekje të re për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin, i cili nisi me pushtimin rus të Ukrainës në shkurt 2022.

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi bisedime me Presidentin rus Vladimir Putin në Alaska javën e kaluar, ndërsa më herët këtë javë priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe disa udhëheqës evropianë.