
Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka shpallur sot rikandidimin për të parin e kësaj komune. Ai ka bërë të ditur se pas përfundimit të studimeve master në Londër, në drejtimin “Politika e Klimës, Inovacionit dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm”, është i gatshëm të rikthehet me vizion dhe përvojë të re për Kamenicën.
“Nga Kika e Hogoshtit fillon historia, te njerëzit e Kamenicës merr kuptim… rruga është zhvillimi, prioriteti është qytetari, dhe synimi është Kamenica krenare”, ka shkruar Kastrati.
Ai ka prezantuar edhe ekipin e tij, kandidatët për asamblenë komunale, duke theksuar se janë emra nga çdo kënd i komunës që përfaqësojnë ndershmëri, përkushtim dhe sinqeritet.
Kastrati u zotua se rikthimi i tij është më shumë se politik, duke e cilësuar si rikthim të meritës, transparencës dhe shërbimit të institucioneve për qytetarët.
“Sot shpall kandidaturën time për kryetar të Komunës së Kamenicës, me bindjen e plotë se së bashku mund t’ia rikthejmë Kamenicës jo vetëm zhvillimin, por edhe dinjitetin”, theksoi ai.