
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook i ka bërë thirrje mërgatës që të votojë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kurti, në video-mesazhin e tij, ka thënë se vota e mërgatës është vendimtare për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.
Meqë kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në përfundim të afatit të regjistrimit, Kurti ka thënë se mërgata nuk duhet ta humbë mundësinë për të votuar për qeverisjen e vërtetë edhe në nivelin lokal.
Postimi i plotë:
Të dashur mërgimtarë,
Angazhimi juaj në zgjedhjet qendrore na nxori të parët në 22 komuna, cep më cep Republikës sonë.
Tani, me zgjedhjet lokale që po afrojnë, le t’i bëjmë komunat anembanë Kosovës shembull të qytetarisë, të zhvillimit dhe të qeverisjes sonë të mirë.
Më 12 tetor mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë dhe vota juaj është vendimtare për fitoren tonë.
Ftoni çdo bashkatdhetar, secilin e secilën, të regjistrohet, në mënyrë që askush të mos e humbë mundësinë për ta jetësuar qeverisjen e vërtetë edhe në nivel lokal.
Janë vetëm 6 ditë deri më 29 gusht. Mos e lini për nesër, regjistrohuni tani. Procesi është i lehtë dhe i shpejtë.
Me votën tuaj, komunat do të kenë njerëz të ndershëm e të përkushtuar që punojnë për qytetarët, duke larguar njëherazi nga pushteti klanet dhe ata që i shohin komunat si pronë private.
Me votën tuaj, fitoret tona bëhen të plota!
Ju faleminderit.