Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

VV prezanton kandidatët për Prishtinën, Kurti dhe Çeku flasin për programin

 
   

Levizja Vetëvendosje ka mbajtur sonte një tubim në Amfiteatrin e pishinës së Germisë, ku prezantoi kandidatët për Kuvendin e Komunës së Prishtinës dhe kandidatin për kryetar, Hajrulla Çeku. Lideri i VV-së dhe kandidati për kryetar shpalosën vizionin e tyre për qytetin dhe prioritetet e ekipit.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, duke folur për ekipin dhe vizionin për Prishtinën, tha se Hajrulla Çeku synon ta transformojë Prishtinën.

“Hallet e qytetarëve nuk zgjidhen nga zyra, nuk zgjidhen me rendera të ndërtesave, me pak kumbësor të lumtur, por me punë të shumta, të vogla e madje edhe të imta, si dhe me ato të mëdha e të paqta. Hallet e qytetarëve zgjidhen me angazhim të parreshtur. Ne kemi kandidatin tonë dhe ekipin që synon me transformu Prishtinën, dhe do t’i fitojë zgjedhjet e 12 tetorit. Lista e kandidatëve për asamblenë e Prishtinës është lista më e mirë, më e përgatitur dhe më gjithëpërfshirëse. Kjo listë është garancia që puna e Hajrullahut do të mbështetet në asamble me vizion, me dije dhe me integritet”, tha Kurti.

Hajrulla Çeku, kandidati për kryetar, prezantoi shtyllat kryesore të planit të tij dhe prioritetet që synon të realizojë.

“Lista jonë është listë e shpresës, listë e guximit, listë e përfaqësimit. Programi ynë ka tri shtylla të forta, si themelet e një shtypie të qëndrueshme. Qytet që funksionin, kryeqytet që zhvillohet, Prishtinë që garanton barazi. Kjo është ajo që ne duam. Një qytet i pastër dhe i gjelbër, ku trafiku lëviz, ku ajri është i pastër, ku lagjet periferike urbanizohen me dinjitet. Një qytet ku ekonomia familjare rritet e bizneset e vogla gjejnë mbështetje. Një qytet ku asnjë fëmijë nuk mbetet pas, asnjë i moshuar nuk mbetet vetëm, asnjë lagje e asnjë fshat nuk mbetet në harresë”.

Gjatë prezantimit të kandidatëve për asamblistë, Çeku tha se gjysma e kandidatëve janë gra. Lista e Vetëvendosjes për Prishtinën përmban 56 emra, të kryesuar nga Mrika Limani-Myrtaj.