Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nga tetori, KFOR-i me komandant të ri nga Turqia

 
   

Nga data 3 tetor, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë (KFOR) do të ketë një komandant të ri për një mandat njëvjeçar. Kjo do të jetë hera e dytë që në krye të këtij misioni vendoset një ushtarak nga Turqia.

Lajmin e ka bërë të ditur ambasadori i Turqisë në Kosovë, Tunç Angili, në një intervistë për telegrafin.

“Mbështesim KFOR-in, sepse mendojmë që është vendimtar për stabilitetin e Kosovës dhe të Ballkanit. Nga 3 tetori i këtij viti, komandanti i KFOR-it do të jetë sërish nga Turqia – hera e dytë që e marrim këtë detyrë”, ka deklaruar diplomati turk.

Ai shtoi se roli i KFOR-it është të garantojë siguri, në mënyrë që të krijohet hapësirë për dialog mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajmi është konfirmuar edhe kohë më parë nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë, ku zëdhënësi Zeki Akturk theksoi se Turqia do të udhëheqë përsëri forcën ndërkombëtare paqeruajtëse në Kosovë, duke vazhduar kontributin për sigurinë në rajonin euroatlantik.

“Vendi ynë, i cili ka dhënë kontribute të rëndësishme dhe vendimtare për sigurinë e NATO-s dhe rajonit euroatlantik në të kaluarën, vazhdon ta bëjë këtë sot dhe do ta bëjë edhe në të ardhmen. Turqia do ta kryejë këtë detyrë me neutralitet dhe transparencë të plotë, në përputhje me rezolutat e NATO-s dhe Kombeve të Bashkuara, duke përmbushur përgjegjësitë ndërkombëtare”, ka deklaruar Akturk.

Aktualisht, komandant i KFOR-it në Kosovë është gjeneralmajor Enrico Barduani nga Italia. Para tij, në krye të komandës ka qenë gjeneralmajori Özkan Ulutaş nga Turqia.