Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Person i gabuar, qytetarët komentojnë zgjedhjen e Dimal Bashës kryeparlamentar

 
   

“T‘ia shohësh CV-në e tij, ai kishte të kryer disa shkolla në Amerikë, në Angli”, “Është person i paqëlluar”, shprehen qytetarët e Kosovës lidhur me zgjedhjen e Dimal Bashës në krye të Kuvendit. Ata kanë mendime të ndryshme nëse Basha është zgjidhja e duhur për të udhëhequr kuvendin.

Bajram Shalaku thotë se Dimal Basha është zgjedhja e duhur dhe e domosdoshme. Sipas tij, Basha ka përgatitjen e duhur akademike për të qenë në këtë pozitë.

Shalaku: Dimal Basha zgjedhje e duhur, ai kishte të kryer disa shkolla

“Besoj që është zgjedhja e duhur dhe e domosdoshme. T’ia shohësh CV-në e tij, ai kishte të kryer disa shkolla në Amerikë e Angli. Kishte qenë në zyrën e kongresistit Eliot Engel…Nuk mjafton kjo, por partia më e madhe e ka vlerësuar në atë pozitë. Ata e kanë parë që është i duhuri”, thotë Shalaku.

Ndryshe nga Shalaku, qytetari Hakif Hajdini thotë se zgjedhja e Dimal Bashës ka qenë shumë e paqëlluar, pasi sipas tij, ai ka përdorur fjalor të ashpër në të kaluarën.

Hajdini: Dimal Basha, person i paqëlluar, nuk pajtohem me deklaratat e tij

“Është person i paqëlluar, mendoj unë. Megjithatë, ata e kanë zgjedhur, u bë mirë që shkoi një hap përpara. Shpresoj që të shkojnë edhe punët tjera përpara. Një fjalor e ka pasur më të ashpër. Unë nuk isha pajtuar me deklaratat e tij të mëhershme”, tha Hajdini.

Besa kur është zgjedhur një fanellë e kemi shqyer, thotë Ardian Krasniqi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pas katër muajve bllokadë. Porse, sipas tij këtë post e ka marrë njeriu i gabuar, derisa iu referohet Dimal Bashës.

Ai përmend raportimin e mediave se kryeparlamentari Dimal Basha ka marrë pjesë në një punim shkencor, ku ndër të tjera shkruhet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi: Kur u zgjodh Basha kryetar, kemi shqyer një bluzë, por për fat të keq është njeri i gabuar

“Besa kur është zgjedhur një bluzë e kemi shqyer. Për fat të keq, është njeri i gabuar aty që ka ardhur, sepse ai nuk e ka merituar. Kemi pasur akademikë në parlament, ka qenë Kujtim Shala që ka qenë akademik i LDK-së ose e ka merituar Glauk Konjufca… E pashë në media që e kishte bërë një shkrim kundër UÇK-së, turp i qoftë”, shprehet Krasniqi.

Ndërkaq, qytetari Mirsad Krasniqi thotë se duhet dhënë një shans Bashës. Krahas kësaj, sipas tij nëse dalin të vërteta lajmet se ai ka shkruar kundër UCK-së, nuk ka çfarë të kërkon në kuvend.

Krasniqi: Duhet t’i japim shans Dimalit

“U tentua disa herë me disa kandidatë të tjerë, por nuk u votuan. Duhet t’i japim shans Dimalit. Po lexoj edhe unë se jo ka thënë këtë e jo atë. Ai doli demantoi. Nëse dalin të vërteta, nuk ka çfarë kërkon”, thotë Krasniqi.

Pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryeparlamentar, mediat raportuan për një punim shkencor të vitit 2012, që mban emrin e tij si bashkautor, për çka thuhet se përmban shkrime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Pas kësaj, pati shumë reagime nga subjektet e tjera politike dhe organizatat e dala nga lufta. Organizata e Veteranëve të UÇK-së kërkoi shkarkimin e Bashës. Madje edhe deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, shprehu keqardhje për votën e tij për Bashën, duke thënë se nuk kishte ditur për ekzistencën e këtij punimi dhe se, sikur të kishte qenë i informuar, nuk do të kishte votuar pro.

Në përgjigje ndaj kritikave, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha tha se në hulumtimin që ka bërë në vitin 2012 nuk ka shkruar asnjë shkronjë sa i përket Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Basha tha se ka përgjegjësi vetëm, siç u shpreh ai, për temën që lidhet me islamin fundamentalist në Kosovë.

Më 26 gusht, 73 vota pro, 30 kundër dhe tre abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës zgjodhën kryetarin e ri të Kuvendit, deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Dimal Basha, i lindur në vitin 1979 në Prishtinë – jeton në Ferizaj, është zgjedhur tri herë deputet i Kuvendit të Kosovës. Më parë ka qenë anëtar në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Komisionin për Legjislacionin, Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionin për Stabilizim-Asociim.

Sipas biografisë të publikuar në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, duke diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

Aty shkruan se Basha gjithashtu ka përfunduar studimet master në marrëdhënie ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri,” në Universitetin “The New School University,” po ashtu në Nju Jork. E sa kishte qenë nxënës në Kosovë, ai kishte pranuar se kishte mbetur në provim në lëndën e biologjisë.