
Diplomati shqiptar, Kreshnik Çollaku është emëruar në pozitën e këshilltarit për Politikë të Jashtme, i presidentes Vjosa Osmani.
Çollaku tha se ka pranuar ftesën e presidentes për t’u bërë pjesë e ekipit të saj.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehu kënaqësinë dhe krenarinë për këtë angazhim të ri.
“Dëshira dhe vullneti im për t’i shërbyer Kosovës si pjesë thelbësore e çështjes kombëtare shqiptare, me këtë angazhim merr një dimension të ri,” shkroi Çollaku, duke falënderuar presidenten Osmani për besimin dhe vlerësimin.
Ai theksoi se kjo detyrë i jep mundësinë të kontribuojë në mënyrë aktive për avancimin e interesave kombëtare dhe shtetërore, duke ruajtur një angazhim të përbashkët ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës.