
Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë Ushtarake (VSOA), Gjeneral Major, Ivan Turkalj.
Dhe siç raportojnë mediat kroate, takimi ka qenë i thirrur kryesisht në lidhje me hetimin që po zhvillohet kundër një oficeri të Forcave të Armatosura të Ushtrisë Kroate dhe një personi tjetër të dyshuar për spiunazh në Kosovë.
“VSOA, Zyra e Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kroacisë dhe institucione të tjera kompetente kryejnë të gjitha aktivitetet e nevojshme për të mbrojtur interesat shtetërore dhe sigurinë kombëtare”, njoftoi Plenković në platformën X.
Piloti i Forcave Ajrore Kroate (HRZ) nga Spliti dhe partnerja e tij, një sociologe nga Mitrovica e Kosovës, të cilët u dyshuan për spiunazh javën e kaluar, u dënuan me një muaj burg nga gjyqtari i Gjykatës së Qarkut në Split.
Policia civile dhe ushtarake dhe Europoli po zhvillojnë procedurat kundër tyre, dhe dyshohet se piloti ushtarak J.I. i ka dhënë sekrete partneres së tij A.M., pas së cilës ajo i dërgoi ato në partinë Lista Serbe, parti kjo që zhvillon aktivitetin e saj në Kosovë.
Siç vënë në pah mediat kroate, ata u urdhëruan të mbaheshin në paraburgim për krimin e spiunazhit për shkak të ndikimit të mundshëm mbi dëshmitarët ose për shkak të rrezikut që ata të shkatërronin, fshihnin ose falsifikonin provat ose gjurmët e rëndësishme për procesin e provave ndërsa ishin në arrati.
E dyshuara femër u urdhërua gjithashtu të mbahej në paraburgim për shkak të rrezikut të arratisjes duke qenë se ajo është shtetase e huaj.
Sipas Kodit Penal të Kroacisë, dënimi për këtë krim është gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.
Të dy u morën në pyetje të mërkurën në Zyrën e Prokurorit të Shtetit të Qarkut Split.
Siç ishte raportuar më herët, J.I dhe A.M. u takuan në vitin 2016 në Kosovë. Atë kohë, J.I. ishte anëtar i kontingjentit kroat në KFOR, ndërsa A.M. punonte përkthyese në EULEX.
Ndryshe piloti ushtarak kroat dhe e dashura e tij – një shtetase serbe nga Mitrovica e Veriut – u arrestuan në fund të korrikut me dyshimin për spiunazh në favor të Serbisë. Ata u morën në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit.
Sipas raporteve të medias, hetuesit që atëherë kanë gjetur mesazhe kompromentuese duke kontrolluar pajisjet e tyre mobile dhe komunikimet, pas së cilës ata dyshohen për spiunazh ndërkombëtar.
Po sipas raportimeve të mëhershme të mediave, dyshohet se ata të dy shkëmbyen mesazhe përmes WhatsApp në të cilat ai i kaloi informacione konfidenciale në lidhje me lëvizjet dhe planet e forcave të KFOR-it në lidhje me situatën në veri të Kosovës, dhe ajo më pas ia kaloi ato figurave të larta në partinë Lista Serbe dhe madje edhe një gazetari nga një agjenci e njohur ndërkombëtare lajmesh.