
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza do t’ia mësyjë garës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit me synimin për ta ndalur stagnimin në këtë komunë. Ai premton ndryshime thelbësore përmes projekteve konkrete që adresojnë problemet urgjente si mungesa e ujit të pijshëm, infrastruktura e dëmtuar, arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi urban.
Prebreza shprehet se gara për të parin e komunës nuk është për ambicie personale, por për një qeverisje më të mirë dhe efikase. Kyçja në ngrohje qendrore e ujë të pijes, unaza e qytetit e ndërtimi i sheshit qendror, janë disa nga premtimet e tij për zgjedhjet lokale.
Vendimi i parë i tij si kryetar nëse merr besimin më 12 tetor, është auditimi i plotë i gjendjes aktuale në komunë dhe identifikimi i nevojave elementare për qytetarët.
Prebreza: Garës për kryetar i kam hyrë nga nevoja urgjente
“Kjo hyrja e garës nuk është për ambicie personale. Është nevojë urgjente që në Fushë Kosovë me pas ndryshim. Çdo ditë që takojmë njerëz dhe pakënaqësia e qytetarëve karshi mungesave elementare të jetesës më ka shty që dikush duhet t’i prijë procesit të ndryshimit në Fushë-Kosovë. I kam hyrë kësaj gare me ide dhe projekte konkrete që lehtësojnë jetën e qytetarëve të Fushë Kosovës. Kemi mungesa të shumta duke filluar prej mungesës së ujit të pijes, infrastruktura e dëmtuar, rrugë të shkatërruara, trotuar të bllokuar. Kështu që kemi nevojë për gjëra elementare për të jetuar në Fushë Kosovë. Është një stagnim që disa vite të fundit në Fushë Kosovë. Këtij stagnimi mendoj se i ka ardhur momenti i fundit që të bëhet ndryshim. Ky ndryshim bëhet me vullnetin e qytetarëve dhe shpresojmë shumë që do ta kemi përkrahjen e plotë të gjithë qytetarët e Fushë Kosovës”, tha ai.
Në intervistën për KosovaPress, Prebreza flet edhe për projektin e ngrohjes qendrore, të cilin e konsideron ndër projektet kryesore që do të nisë menjëherë pas marrjes së detyrës si kryetar i komunës.
Prebreza: Do të fillojmë projektin për ngrohjen qendrore në Fushë-Kosovë
“Prioritetin e projekteve do ta bëjmë karshi nevojave urgjente që i kanë qytetarët e Kosovës si projekt, ndër të parat që do të fillojmë, qysh në muajt e parë do të jetë inicimi për kogjenerimin që do të jetë ngrohja qendrore e qytetit. E kemi projektin e gatshëm dhe do të lidhet me Kosovën A ose Kosovën B, te stacioni i trenit në Obiliq. Projektin e kemi të gatshëm. Ky projekt fillon në mandatin e parë, nuk do të thotë që përfundon, sepse është projekt i madh ku mjetet e financimit për këtë projekt do të sigurohen nga BERZH-a, KFW-ja gjermane, si dhe në bashkëfinancim me Qeverinë e Republikës së Kosovës. Ky është një projekt që i prek të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Prebreza.
Për të lehtësuar qarkullimin e trafikut për banorët e Fushë-Kosovës, Prebreza premton ndërtimin e një unaze rreth qytetit. Gjithashtu, në planin e tij të qeverisjes lokale, ai synon të krijojë një lidhje direkte me autostradën, duke e bërë më të lehtë dhe më të shpejtë lëvizjen për qytetarët e komunës.
Prebreza: Synojmë të ndërtojmë unazën e qytetit për të lehtësuar qarkullimin
“Kemi paraparë një unazë të qytetit, e cila do të lidhet nga rruga e trenit, te binarët në fund qytetit, ku e gjitha është pronë publike, nuk kemi nevojë për shpronësim. Nëse paraqitet nevoja aty-këtu, do ta marrë përsipër komuna dhe e cila do të del tek ura e së Miradisë së Lartë. Kështu që ky projekt e lehtëson qarkullimin edhe lehtëson jetën e përditshme të qytetarëve të Fushë-Kosovës. Në vazhdimësi të këtij projekti do të jetë rruga prej fshatit Uglarë, ku bashkë me qeverisjen komunale të Graçanicës dhe me financim të Ministrisë së Mjedisit për planifikim hapësinor synojmë që të bëhet zgjerimi i kësaj rruge, e cila do të përfshijë shpronësimin aty, sepse situata aktuale është e determinon për të pasur shpronësime, sepse preken prona private, por do ta bëjmë këtë dhe do ta lehtësojmë qarkullimin e trafikut për qytetarët e Fushë Kosovës”, deklaron ai.
Prebreza për KosovaPress potencon që në ditët në vijim do të përurohet projekti për ujë të pijshëm në disa fshatra të Fushë-Kosovës, të cilat që nga paslufta janë ballafaquar me këtë telashe.
Duke theksuar se projekti është i financuar nga niveli qendror, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, kritikon qeverisjen aktuale komunale për mosshfrytëzimin e buxhetit në funksion të nevojave bazë të qytetarëve.
Prebreza: Në ditët në vijim do ta përurojmë projektin për ujësjellës
“Ne kemi filluar një projekt të madh për furnizimin me ujë, ku përfshijnë fshatrat e Fushë Kosovës, Lagjja 28,29 fshatrat që përfshijnë në këtë projektin prej mbi 3.7 milionë euro, janë fshati Bardhë i Madh, Grabovc, Mesbardhë, Bardhë i vogël, Sllatinë, dy Sllatinat si dhe prej lagjen 28 dhe 29 që jetojnë komuniteti ashkalinj dhe egjiptian, si dhe në fshatin Miradije. Kështu që ky projekt është thuajse në finalizim, një pjesë e caktuar veçse është kryer. Për shembull, Sllatina është kryer dhe furnizohen qytetarët me ujë të pijshëm, kurse për lokalitete tjera, duke përfshirë edhe fshatin Lismir, presim që në ditët në vazhdim të bëjmë përurimin e këtij projekti dhe qytetarët të furnizohen me ujë të pijshëm. Ky projekt është financuar komplet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, siç e thashë, në vlerë 3.7 milionë euro. Tash ta marrim një paralele, një qeverisje aktuale komunale që buxheti nuk arrin të shpenzojë afër 6 deri 7 milionë euro, bëhet bartja e buxhetit në mungesë të projektit për secilin vit dhe një projekt i ujësjellësit që ka kushtuar 3.7 milionë shtatë milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Do të thotë, ne kemi mjete të mjaftueshme nga komuna, mirëpo nuk shpenzohen për nevoja të qytetarëve. Do të thotë, projekti i ujit është dashur të jetë i harruar në kuptimin e funksionalizimit të tij”, theksoi ai.
Komuna e Fushë-Kosovës përballet me numër shumë të madh të nxënësve, ku në mungesë të objekteve arsimore, disa shkolla detyrohen të punojnë me turne të shumëfishta. Në këtë drejtim, Prebreza premton kampus të shkollave të mesme në periferi të qytetit dhe shkolla e çerdhe publike të reja që do të jenë të shtrira edhe në fshatra.
Plane konkrete kandidati për kryetar të Fushë-Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka edhe për sektorin e shëndetësisë. E premtimi kryesor në këtë drejtim është ndërtimi i objektit të ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Prebreza: Do të ndërtojmë një QKMF të re
“Ne do të ndërtojmë një QKMF të re për Fushë Kosovën, si dhe AMF-të ekzistuese siç janë në Sllatinë dhe Bardh, do të tentojmë t’i bëjmë me 12 orësh për shërbime, e cila do të do të bëjë që QKMF-ja e qytetit të shkarkohet. Ne kemi një qendër të mjekësisë apo mund t’i them AMF, pothuajse në lagjen Dardania, e cila nuk është funksionale në 24 orë. Do të thotë, aty bëhet vetëm një ndërrim. Atë AMF do ta bëjmë 24 orë në shërbim të qytetarëve, sepse është një pjesë e madhe e banorëve që në pamundësi për të marrë shërbime, detyrohen të shkojnë në Prishtinë ose të vijnë me mjete të ndryshme transportit në QKMF-në ekzistuese”, tha ai.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë-Kosovës, Valon Prebreza shprehet optimist që qytetarët e kësaj komune më 12 tetor do t’i thonë mjaft qeverisjes për 25 vjet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, derisa thekson respektin për kundërkandidatët dhe rëndësinë e një gare fer.
Prebreza: Ka ardhur koha t’i themi stop modelit 25 vjet qeverisje në Fushë-Kosovë
“Kandidatët tjerë i vlerësoj dhe respektoj shumë, pres një garë fer, ku qytetarët do të kenë mundësinë që të vendosin në votën e tyre për kush do ta udhëheqë komunën për katër vitet e ardhshme. Shpresoj shumë dhe besoj që qytetarët kësaj herë do të vlerësojnë pak më ndryshe, shumë ndryshe se këta 25 vjet, sepse çka është mjaft është mjaft. Ka ardhur koha t’i themi stop një modeli të qeverisjes andaj të provojmë një model tjetër më energjik, me një vullnet dhe guxim në dobi të qytetarëve dhe interesi qytetar të jetë prioritet yni”, tha ai.
Fushë-Kosova është ndër komunat e pakta që nuk ka shesh qendror, e pretendenti i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar premton ndërtimin e një sheshi që do ta bashkojë qytetin.
Prerbreza: Do të bëjmë sheshin që i bashkon qytetarët e Fushë-Kosovës
“Edhe tash sheshin do ta bëjmë, por do ta bëjmë një shesh që i bashkon qytetarët. Një shesh, ku përveç shëtitjes dhe mbledhjes së qytetarëve, do të jetë atraksion edhe për biznes, ku qytetarët e Fushë-Kosovës kanë mundësinë që produktet e tyre gjatë ditës të kenë mundësi t’i shesin në shesh, do të thotë një mundësi e tregut të modelit, siç po bëhet nëpër qytete moderne. Mirëpo, sheshi nuk mund ta themi se do të filloj vitin e parë…pa u bë unaza e qytetit, nuk mund të fillojë me projektin e sheshit, por po besoj që në vitin e tretë sheshi do të bahet. Do të jetë një shesh model që nuk besoj se ka në Kosovë dhe ai shesh do ta bashkojë qytetin”, u shpreh ai.
Valon Prebreza i cili po synon qeverisjen me komunën e Fushë-Kosovës thekson se ndërtimi në këtë qytet do të vazhdojë në përputhje me planin zhvillimor komunal.
Fushë-Kosova tash e sa vite nuk e ka funksionale Shtëpinë e Kulturës, e Prebreza premton që ky objekt kulturor në qeverisjen e tij do të rinovohet dhe do t’u vihet në funksion artistëve të kësaj komune.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025, ndërsa fushata zgjedhor do të nisë më 13 shtator. Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje komunale garon me numrin 105.