Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Bujanoci nuk përkulet karshi provokimeve ekstremizmit nacionalist serb”

 
   

 

Të shtunën, në qendrën e Bujanocit, me të kuqe në qendër të qytetit, u shfaqën grafite të shkruara në alfabetin cirilik, ku katër herë shkronja “C” është përdorur për të lexuar si shkronja “S”.

Ky stil i shkrimit është i njohur për shkak të natyrës së tij provokuese dhe përmbajtjes nacionaliste që përcjell.

Së bashku me një kryq, në vazhdim është shkruar emri dhe mbiemri i kriminelit të luftës, të dënuar për gjenocid në Srebrenicë, Bosnjë e Hercegovinë, Ratko Mladiq.

Ngjarja ngre shqetësime të thella për situatën e sigurisë, pasi që kjo nuk është hera e parë që shihen përpjekje të tilla për të provokuar shqiptarët që jetojnë në Kosovën Lindore.

Megjithatë, këto grafite u fshinë më pas nga ish-kryetar i Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi.

Mustafi me mesazh të qartë: “Ky qytet nuk përkulet”

Lidhur me këtë çështje, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafi, ka folur për “Bota sot”, ku ka deklaruar se ky nuk është një incident i izoluar.

“Grafitet me emrin e Ratko Mladiqit, një kriminel lufte i dënuar për gjenocid në Srebrenicë, të shfaqura në qendër të Bujanocit, nuk janë incident i izoluar. Janë shenjë e qartë e një klime në rritje të intolerancës, ekstremizmit nacionalist dhe frikësimit të drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe rastet të tjera që kanë ndodhur në të kaluarën.

“Kjo nuk është hera e parë që ndodhin akte të tilla:

Në gusht u thye billboard-i i Komandant Lleshit në përvjetorin e rënies së tij.

Dy herë më parë janë shkruar grafite me thirrje për “vrasje të shqiptarëve” pranë Shtëpisë së Shëndetit.

Tani, në zemër të qytetit, me simbole nacionaliste (katër C), shfaqet emri i një gjenocidisti”, ka shpjeguar Mustafi.

Tutje, ai shprehet se nuk ka pasur asnjë reagim institucional apo hetim lidhur me këto raste.

Sipas tij, autoritetet lokale i paraqesin shqiptarët si faktorë destabilizues në sytë e ndërkombëtarëve.

“Për të gjitha këto, asnjë reagim institucional. As hetim. As dënim. As fshirje.

Përkundrazi, autoritetet lokale janë marrë me dërgimin e letrave që i paraqesin shqiptarët si faktorë destabilizues në sytë e ndërkombëtarëve, duke shpërfytyruar realitetin dhe duke përçuar një narrativë që i jep oksigjen politik përjashtimit të shqiptarëve nga institucionet lokale dhe publike.

Ky është serbizimi i Bujanocit, që ndodh jo me dhunë të hapur, por me mjete të rafinuara të mohimit, heshtjes dhe përjashtimit”, ka deklaruar Mustafi.

 Image
 Ragmi Mustafi 
 

I pyetur nga “Bota sot”, se a duhet të ketë reagim ndërkombëtarë lidhur me këtë incident, ai është shprehur kështu:

“Pa diskutim, po.

Ky nuk është një problem lokal. Është çështje e standardeve të të drejtave të njeriut, të sigurisë së pakicave dhe të drejtës për të jetuar pa frikë dhe urrejtje në vendin tënd.

Pres që institucionet ndërkombëtare – OSBE, Delegacioni i BE-së në Serbi, ambasadat perëndimore dhe organizatat për të drejtat e njeriut – të reagojnë publikisht dhe prerë. Heshtja e tyre përballë glorifikimit të gjenocidit është e rrezikshme dhe e papranueshme”, ka thënë Mustafi.

Në fund, Mustafi ka treguar se grafiti nuk u fshi nga institucionet, por nga vetë qytetarët.

Ai vetë, së bashku me djalin e tij, mori iniciativën për ta pastruar, duke theksuar se e bëri këtë për fëmijët e qytetit dhe për ata që kërkojnë drejtësi.

“Për fund – grafiti u fshi jo nga institucionet, por nga qytetarët. Unë personalisht, bashkë me djalin tim, shkova dhe e fshiva. Jo për vete, por për fëmijët e këtij qyteti, për ata që u vranë, për ata që ende kërkojnë drejtësi.

Ky qytet nuk do të përkulet përballë frikës dhe përçmimit. Dhe askush nuk do të na mësojë si të jetojmë në tokën tonë”, ka përfunduar Mustafi.

Hyseni: Pushteti i Vuçiqit po bën përpjekje maksimale për ta çorientuar energjinë e madhe të revoltës

Ndërkaq, analisti politik, Nehat Hyseni ka theksuar se situata kaotike në Serbi është pasojë e protestave masive dhe të vazhdueshme të opozitës dhe lëvizjeve qytetare, të cilat po përfshijnë gjithë vendin, duke filluar nga Beogradi.

Sipas Hysenit, përballë këtyre protestave që kanë tronditur funksionimin normal të shtetit, pushteti po përpiqet të devijojë pakënaqësinë publike, duke e orientuar kundër komuniteteve joserbe.Shenjë e kësaj, Hyseni është shprehur se janë grafitet me simbole fashiste që nxisin urrejtje etnike.

Situata kaotike në Serbi është krijuar nga protestat këmbëngulëse të opozitës dhe lëvizjeve qytetare, të cilat po mbushin rrugët, bulevardet dhe sheshet publike me pjesëmarrje masive, që shpesh herë tejkalojnë shifrën e qindra mijëra, madje edhe mbi gjysmë milioni qytetarë.

Kërkesat e protestuesve janë drejtuar me vendosmëri kundër pushtetit autoritar e jodemokratik të pasuesit të politikanit dhe kriminelit fashist, vojvodës serb Vojislav Sheshel, presidentit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe Partisë së tij proruse e kriminale SNS, e dalë nga Partia Radikale Serbe e Sheshelit.

Protestat maratonike, të cilat tashmë po i afrohen një viti nga shpërthimi i tyre, fillimisht shpërthyen vetëm në Beograd, por shumë shpejt u përhapën në gjithë Serbinë. Me një intensitet të madh, ato u shndërruan nga protesta paqësore në protesta gjithnjë e më të dhunshme e të përgjakshme.

Këto protesta, në fakt, kanë bllokuar funksionimin normal të shtetit dhe institucioneve publike. Prandaj, pushteti i Vuçiqit po bën përpjekje maksimale për ta çorientuar energjinë e madhe të revoltës dhe dhunës së huliganizmit serb nga orientimi kundër qeverisë dhe regjimit autoritar e jodemokratik të Serbisë, duke e drejtuar atë kundër komuniteteve joserbe – fillimisht kundër myslimanëve e boshnjakëve në Sanxhak, dhe së fundi edhe kundër shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shenjë e kësaj janë grafitet me simbolin fashist serb, katër “S” në alfabetin cirilik (“C”), që nënkuptojnë: “Samo Sloga Srbina Spašava” (Vetëm Harmonia Shpëton Serbinë), thirrje për unitet të serbëve kundër komuniteteve joserbe: shqiptarëve, boshnjakëve dhe të tjerëve”, ka deklaruar Hyseni për “Bota sot”.

 Image
 Nehat Hyseni 
 

Sipas tij, pritet që grafite shoviniste të shtohen, veçanërisht në Preshevë dhe Medvegjë, ndërsa tensionet në Sanxhak mund të çojnë në dhunë të hapur.

“Pritet që grafite të tilla shoviniste të shtohen edhe më shumë gjatë ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm, duke u shfaqur edhe në Preshevë e Medvegjë. Paralelisht, tensionet politike në Sanxhak rrezikojnë të radikalizohen dhe të eskalojnë në dhunë të hapur, me pasoja të paparashikueshme.

Nuk duet harruar se dhuna serbe mund të përhapet shumë shpejt edhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, duke destabilizuar gjendjen në Ballkanin Perëndimor e më gjerë”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Hyseni ka paralajmëruar se ultrashovinizmi serbo-rus mund të shkaktojë dëme serioze, veçanërisht ndaj shqiptarëve që jetojnë në Kosovën Lindore.

“Detyra jonë kombëtare, si një popull i ndarë padrejtësisht në pesë shtete të Ballkanit, duhet të jetë në lartësinë e sfidave që sjell situata, sepse ultrashovinizmi serbo-rus mund të krijojë shumë probleme e dëme të mëdha – në radhë të parë ndaj Luginës së Preshevës, e cila realisht paraqet një “Kosovë të vogël në Serbi”, por gjithashtu edhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ndaj shqiptarëve në Mal të Zi e Maqedoninë e Veriut – duke shfrytëzuar në maksimum edhe luftën e agresionit rus në Ukrainë”, ka përfunduar Hyseni.