Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sulmi i Izraelit në Doha, Trump: E informuam Katarin, por ishte tepër vonë për ta ndalur

Presidenti i ShBA’së, Donald Trump, ka postuar në Truth Social lidhur me zhvillimet e sotme, kur Izraeli sulmoi drejtuesit e Hamasit në Doha.

Trump ka shkruar se “Këtë mëngjes, Administrata Trump u njoftua nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara se Izraeli po sulmonte Hamasin, i cili, fatkeqësisht, ndodhej në një pjesë të Dohas, kryeqyteti i Katarit.”

Ai tha se vendimi për të goditur drejtuesit e Hamasit në Doha “u mor nga Kryeministri Netanyahu, nuk ishte një vendim i imi.”, raporton BBC.

Presidenti amerikan thotë se bombardimi i një “Shteti Sovran dhe Aleati të ngushtë” të SHBA-së, “i cili po punon shumë dhe po rrezikon me guxim bashkë me ne për të ndërmjetësuar paqen, nuk i shërben objektivave të Izraelit apo të Amerikës.”

Megjithatë, ai shton se eliminimi i Hamasit, të cilët kanë përfituar nga vuajtjet e popullit në Gaza, është një qëllim i drejtë.

Pas marrjes së informacionit për sulmin izraelit, Trump thotë se ai “urdhëroi menjëherë” të Dërguarin e Posaçëm Amerikan, Steve Witkoff, që “ta informonte Katarin për sulmin” – por shton se “ishte tepër vonë për ta ndalur sulmin.”