Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Krasniqi kërkon që Kushtetuesja ta refuzojë ankesën e Listës Serbe

 
   

Ministri në detyrë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në emër të grupit multietnik në një konferencë për media ka thënë se kanë kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të mos e merr për bazë ankesën e Listës Serbe.

Kjo do të prishte balancin e respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve jo shumicë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se si grup multietnik kanë pasur të drejtë të propozojnë kandidatin në mënyrë të ndarë. Ka përmendur zgjedhjen e Emilja Rexhepit si nënkryetare e Kuvendit, me 73 vota për, 1 kundër dhe 23 abstenime.

Më tej Krasniqi ka marrë shembull nga një praktikë në Bosnje – Hercegovinë.

“Kjo situatë e cila sot tenton të imponohet nga Lista Serbe është e njëjta me Bosnje – Hercegovinë, ku e drejta është tentuar të shndërrohet në bllokadë. Përvoja atje është dëshmi e duhur se çfarë pasojash të rënda sjellë një sistem ku pakica parlamentare mban në dorë të drejtën e vetos dhe bllokon funksionimin e shtetit. Gjykata Kushtetuese atje por edhe jurisprudenca kushtetuese, në lidhje me parimin e barazisë kolektive të komuniteteve, ka theksuar se asnjë komunitet nuk ka shumicë kushtetuese mbi tjetrin, por ka barazi. Një gjë e tillë nënkupton në rastin tonë se ulëset e rezervuara garantojnë përfaqësim e jo dominim”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se të gjitha komunitetet janë të barabarta dhe nuk ka trajtim të veçantë për një grup të caktuar. 

Ai ka përmendur propozimin për nënkryetar të Slavko Simiq, duke theksuar se ai është autor i sulmit ndaj gazetarëve dhe ndaj mbrojtjes së Krasniqit gjatë vizitës në Leposaviq.

“Po patët mundësi ta shihni profilin e tij në Facebook apo Instagram, e shihni se ai ka më së shumti fotografi me terroristin Radojçiq. Ai është zëri, dora dhe syri i tij në Prishtinë. Këtë s’mund ta pranojmë si komunitete. Nuk besoj se Gjykata Kushtetuese mund të kërkoj nga unë apo kushdo tjetër të votoj për një person që punon ditë e natë ta minoj Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.