Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qeveria e Kosovës reagon pas pezullimit të dialogut nga SHBA

 
   

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, ka reaguar Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili tha se veprimet e Qeverisë janë legjitime, kushtetuese dhe në funksion të garantimit të stabilitetit afatgjatë në vend.

Në reagimin e tij, Kryeziu theksoi se Qeveria aktuale është e para që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, duke kontribuar në stabilitetin institucional dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit përkundër sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë, transmeton “Bota sot”.

“Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji, luftim të krimit dhe korrupsionit në gjithë territorin e vendit”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se përballja me strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë nuk ka qenë e drejtuar kundër qytetarëve serbë të Kosovës, por kundër grupeve që kanë penguar integrimin dhe bashkëjetesën.

Qeveria, sipas tij, ka ndërmarrë hapa për integrimin e qëndrueshëm të serbëve në institucionet e Kosovës përmes punësimit dhe arsimit, si dhe ka garantuar që nuk ka pasur vakuum në ofrimin e shërbimeve publike në komunat me shumicë serbe.

Duke iu referuar kritikave të kryeministrit Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeziu sqaroi se ato lidhen me vonesat në trajtimin e ligjeve të rëndësishme, siç është Ligji për Fondin Sovran, i cili është në pritje të vendimit për më shumë se 1 vit e 8 muaj.

“Kryeministri ka theksuar se me vonesat e saj, Gjykata Kushtetuese është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive opozitare për të vonuar reformat”, tha ai.

Në fund të reagimit, Qeveria e Kosovës shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe theksoi gatishmërinë për të mirëpritur kritikat kur ato janë konkrete, duke theksuar përkushtimin për përmirësim të vazhdueshëm.

“Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon”, u tha në reagim.