
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se në LDK ka njerëz që bëjnë aleanca me jashtë, jo që i mbyllin dyert me ta. Sipas tij në këtë parti, ka njerëz që e bëjnë shtetin e jo që e shkatërrojnë atë.
Këtë deklarim Abdixhiku e bëri me rastin e hapjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të tetorit 2025.
I pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku potencoi se Kosova meriton më shumë sesa ngecjen e përditshme. Ai tha se vendi meriton të ardhme, meriton zhvillim dhe shpresë.
Abdixhiku tha se LDK-ja nuk është si ata që sipas tij e kanë shkatërruar shtetin, janë bllokues historik e shkelësit të Kushtetutës.
“Tek ne gjenë njerëzit që bëjnë shtetin, jo që shkatërrojnë shtetin, tek ne gjenë njerëzit që duan Kushtetutën, jo që e shkelin atë. Tek ne gjenë njerëz që bëjnë aleanca me jashtë jo që i mbyllin dyertë me ta, tek ne gjenë njerëz që e duan Kosovën më shumë se sa vetën, sepse një Kosovë kemi, këtë shtet kemi,këtë vend kemi. Dhe kjo është trashëgimia jonë prandaj është detyra jonë detyrë ta ruajmë me dinjitet në politikë, të ruajmë fjalën e dhënë të ruajmë shpresën që na kushtron gjithmonë. Detyrë t’u tregojmë se ky vend nuk është lodhur nga ëndrra e tij, se ky vend meriton më shumë sesa ngecjen e përditshme që e merr sot meriton të ardhmen meriton zhvillim dhe meriton shpresë. Nuk duam të jemi të fundit. Nuk duam të jemi të izoluar, nuk duam të jemi të vetëm duam dhe do të kemi shtetin, komunën fshatin e qytetin si vend me të cilin mburremi si vend fisnik, qytetar të lirë të Republikës sonë të mirë. Shkatërruesit e shtetit bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme. Ne nuk jemi si ta, ne nuk duam të jemi si ta. Ne jemi LDK shpresa e parë dhe e fundit e Republikës së Kosovës.Aty ku ata bllokojnë ne ndërtojmë. Aty ku ata ndajnë, ne bashkojmë aty ku ata shkatërrojnë ne krijojmë aty ku ata jetojnë nga sharja ne jetojmë nga shpresa. Aty ku ushqehemi me besim ata ushqehen me frikë. Aty ku ata na humbin vitet ne fitojmë të ardhmen, ata janë të përkohshmëm ne jemi të përhershëm ”, tha Abdixhiku
Abdixhiku tha se sot nuk po nisin vetëm një fushatë zgjedhore, por një kryengritje shprese, e një kapitull të ri të qyteteve të republikës sonë.
Sipas tij, LDK-ja është shpresa e gjeneratave të ardhshme.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama tha se transformimi kolosal i kryeqytetit ka ngritur themelet e tani po i vendos shtyllat.
“S’ka që na ndalë askush”, tha Rama derisa tutje potencoi se do të vazhdojmë me realizumin e premtimeve edhe mandatin tjetër.
Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama tha se po punohet në ndërlidhjen mes Arbërisë dhe Qendrës, e që sipas tij do të jetë ishull urban i vërtetë.
Siç premtoi Rama do të jetësohet edhe lidhja Kalabri e Dardani.
“Ky transformim kolosal tashmë ka ngritur themelet e po i vendos shtyllat, e të gjithë po e ndjejmë kudo. Me jetësimin e projekteve të premtuara që do t’i vazhdojmë deri në realizmin e plotë. S’ka që na ndalë askush…sot qinda rrugë në kryeqytet janë të rregulluara në paralagje në fshatra, janë shtuar dhe po mirëmbahen dhjetëra hapësira të gjelbëruara, shkolla, çerdhe, qendra shëndetësore e të tjerat jemi duke i ndërtuar. Lagjet po ndërlidhen në çdo anë, edhe nëpërmjet rrugëve, edhe nëpërmjet transportit publik…Po e punojmë ndërlidhjen mes Arbërisë dhe Qendrës që do të jetë ishull urban i vërtetë i zhvilluar në katin tonë të dytë të Prishtinës tonë të zemrës. Do ta jetësojmë edhe lidhjen Kalabri e Dardani duke krijuar lidhje të natyrshme për banorët e këtyre dy lagjeve”, tha Rama.
Ndër premtime të tjera, Rama tha se do të bëhet policia e kryeqytetit.