Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Nis dëshminë James Rubin në Hagë

 
   

Ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, do të paraqes dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë. Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Bashkë me Thaçin dhe Krasniqin, po gjykohen edhe ish-kryekuvendari Kadri Veseli dhe ish-deputeti Rexhep Selimi. Avokatët e tyre nuk synojnë të paraqesin dëshmi mbrojtëse. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ata me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.

Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.

Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.