
Ish-ndihëmëssekretari amerikan, James Rubin deklaroi se në vitin 1999 kishte mësuar për marrëdhëniet e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) me Ramush Haradinaj.
Këtë ai e tha gjatë dëshmisë së tij pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, derisa u pyet nga avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon.
Dëshmia e James Robin ka nisur sot dhe kjo është e para nga ekipet e mbrojtjes.
Rubin: Në vitin 1999 mësova për marrëdhëniet e CIA-s me Ramush Haradinaj
Avokati: Në paragrafin 15 thoni që mësova se disa persona të zbulimit amerikan po ashtu ishin në kontakt me UÇK-në, veçanërisht Ramush Haradinaj po në atë kohë nuk kisha dijeni për ndonjë kusht të caktuar, që CIA t’i kishte vendosur operacioneve të UÇK-së. Unë besoj se atyre u ishte thënë të mos angazhoheshin në veprimtari terroriste apo të mos kryenin krime lufte, sigurisht të mos promovonin fundamentalizmin islamist, kjo ka qenë politika jonë kryesore aso kohe. Tani për periudhën kohore, kur mësuat se disa persona të zbulimit amerikan kishin kontakte me UÇK-në, veçanërisht me Ramush Haradinaj, bëhet fjalë këtu edhe për vitin 1998, gjashtë muaj e parë të vitit 1998 deri nga vera?
Rubin: Është pak më e ndërlikuar, mbase sot do ta kisha shkruar ndryshe këtë. Unë nuk e mësova për CIA-n me Haradinaj, këtë e kam mësuar vetëm në vitin 1999, po në atë kohë mësova se kjo ka ndodhur në vitin 1998. Dhe mësova në vitin 1999 kur shkova vet në Kosovë dhe takova shefin e CIA-s atje dhe gjithë punonjësit e CIA-s, atëherë mësova për marrëdhëniet e tyre me Haradinaj dhe e di që kishte vite që kanë qenë në kontakt me njëri-tjetrin ”, u përgjigj Rubin.
Ish-ndihmëssekretari amerikan, James Rubin gjatë dëshmisë së tij ka qenë i shoqëruar nga dy përfaqësuese të qeverisë amerikane.
Njëra prej tyre mori fjalën dhe dha vërejtje për Rubin lidhur me dhënien e informacionit për shërbimet intelegjente.
Ne donim që të japim vërejtje të shkurtër për zotëri Rubin
“Unë kam një ndërhyrje në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, siç e keni parë me siguri dëshminë sot në mëngjes, ne synojmë që të mos ndërhyjmë këtu, prania jonë të mos ndërpres seancën përveç në rastet kur është e nevojshme. Për të bërë këtë gjë, ne ndihmojmë me një nga dokumentet që zotëri Rubin ka përdorur, qoftë dokumenteve që janë aty publike, siç janë raportimi i lajmeve, apo dokumentet e brendshme të Shteteve të Bashkuara që janë deklasifikuar. Duke thënë këtë ne donim që të japim një vërejtje të shkurtër sa i takon zotëri Rubin, dhe pyetjet që i është bërë atij për të dhënë informacion në hollësi më të mëdha lidhur me burimet konkrete dhe përfundimet nga të tjerët brenda qeverisë amerikane, në veçanti shërbimet e intelegjencës të zbulimit”, u shpreh ajo.
James Rubin, është dëshmitari i parë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitarë.
Më pas, procesi gjyqësor do të vazhdojë me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon ish-krerët e UÇK-së me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti.