
Forcat e Policisë Ushtarake nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Austria dhe Zvicra, të caktuara në Komandën Rajonale Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO – KFOR, zhvilluan një stërvitje me armë zjarri në poligonin e Kampit Bondsteel.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se njësitë shumëkombëshe përdorën armën standarde M17 për të ruajtur saktësinë, shpejtësinë dhe koordinimin taktik, si dhe për të forcuar aftësitë e qitjes dhe aftësitë operacionale të ushtarëve.
“Stërvitje të tilla forcojnë më tej ndërveprueshmërinë dhe thellojnë bashkëpunimin profesional ndërmjet partnerëve të NATO-s.
Trajnimi i rregullt luan një rol kyç në ruajtjen e gatishmërisë për të reaguar në mënyrë efektive në rast nevoje, duke kontribuar kështu në sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon”, bëhet e ditur në komunikatë.