
Protestuesit shpërthyen në greva dhe demonstrata në mbarë Francën të enjten, duke goditur veçanërisht sektorin e transportit publik dhe Metronë e Parisit, ndërsa përplasjet me policinë filluan që para agimit në kryeqytet.
Këto veprime u drejtuan kundër planeve të qeverisë së Presidentit Emmanuel Macron për të shkurtuar fondet për shërbimet publike që, sipas kritikëve, përbëjnë themelin e mënyrës franceze të jetesës, shkruan Associated Press.
Demonstrata të gjera ishin organizuar në të gjithë vendin, që nga qytetet më të mëdha e deri te komunitetet më të vogla.
Grevat, të thirrura nga sindikatat kryesore, kishin si synim të ushtronin presion për të tërhequr shkurtime të propozuara në buxhet, ngrirjen e ndihmave sociale dhe masa të tjera shtrënguese që, sipas kundërshtarëve, do të ulin edhe më tej fuqinë blerëse të punëtorëve me paga të ulëta dhe të klasës së mesme – masa të cilat kanë rrëzuar qeveri të mëparshme që tentuan t’i zbatojnë.
Dita e trazirave të paralajmëruara, me greva që prekën edhe shkollat, industrinë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë së dytë më të madhe të Bashkimit Evropian, kishte për qëllim të rrisë trysninë mbi kryeministrin e sapoemëruar Sébastien Lecornu.
Presidenti Macron e emëroi atë javën e kaluar, duke e ngarkuar me detyrën e sigurimit të mbështetjes parlamentare për masat e reja buxhetore, të cilat rrëzuan paraardhësit e tij të afërt. Qeveria, nga ana tjetër, argumenton se këto masa janë të domosdoshme për të ulur deficitin dhe borxhin masiv të vendit.
Sindikatat kanë dënuar propozimet buxhetore si “brutale dhe ndëshkuese për punëtorët, pensionistët dhe të tjerët që janë vulnerabël”.
Ato gjithashtu nuk kanë hequr dorë nga kritikat ndaj reformës tejet jopopullore të pensioneve të Macronit, e cila e rriti moshën minimale të pensionit nga 62 në 64 vjeç.
Për të garantuar sigurinë, qeveria bëri të ditur se kishte dislokuar rreth 80,000 oficerë policie në të gjithë vendin për ruajtjen e rendit të enjten.