
Në vijim të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale, juristi amerikan Paul Williams, është përgjigjur në pyetjet e ekipit mbrojtës, duke konfirmuar me “Po” se Masakra e Reçakut përbënte një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.
I pyetur nëse kishte dëgjuar për këtë ngjarje, Williams u përgjigj me “Po”, para trupit gjykues,.
Po ashtu, këshilltar ligjor i delegacionit kosovar në Rambuje, pranoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës në janar të vitit 1999 kishte nevojë për fonde për të blerë armatime dhe pajisje me qëllim mbrojtjen e popullatës civile.
Sipas tij, dihej se qeveria e Kosovës në ekzil, e udhëhequr nga Bujar Bukoshi, kishte grumbulluar një shumë të konsiderueshme parash.
Megjithatë, në pyetjen e mbrojtjes nëse kishte ndonjë pasqyrë financiare për të dëshmuar këto të ardhura, Williams u përgjigj me “Jo”.
Ai sot përfundoi dëshminë e tij përgjatë dy ditëve para Dhomave të Specializuara të Hagës.