Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kadri Kryeziu reagon ashpër: Sipas Edita Tahirit, Kushtetuta e Kosovës nuk funksionon pa vulën e Listës Serbe!

 
   

Kadri Kryeziu ka reaguar fuqishëm ndaj deklaratave të fundit të Edita Tahirit, e cila në një paraqitje televizive ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke argumentuar se mungesa e nënkryetarit nga komuniteti serb e bën procesin joligjor.

Në një reagim të ashpër në Facebook, Kryeziu nuk ndalet vetëm te kundërshtimi i këtij interpretimi, por e zhvendos debatin më thellë — te roli historik i Tahirit në ndërtimin e mekanizmave që sot po e pengojnë funksionimin normal të shtetit.

Ai e akuzon atë për hipokrizi politike, duke e portretizuar si një nga figurat që, përmes marrëveshjeve të së kaluarës, ka kontribuar në krijimin e një sistemi ku Lista Serbe ka mundësinë të vendosë veto etnike mbi institucionet e Kosovës, përcjell “Bota sot”.

Për Kryeziun, ky nuk është thjesht një debat kushtetues, por rikthimi i një logjike të rrezikshme që ka lënë pasoja të thella në shtetin e ri të Kosovës.

Shkrimi i plotë

Edita Tahiri dhe helmi i vetos serbe

Kur autoret e helmit shfaqen si mjekët që diagnostikojnë simptomat

Edita Tahiri ka dalë sërish në skenë publike, këtë herë në një emision televiziv, duke ngritur akuza për mënyrën se si është zhvilluar procesi parlamentar. Ajo e paraqet veten si rojtarja e ligjshmërisë, si zëri që demaskon shkeljet, por në të vërtetë çdo fjalë e saj tingëllon si një rikthim te logjika e vjetër që ka lënë plagë të hapura në shtetin e Kosovës. Roli i saj i pandryshueshëm është ky: avokate e tezave që gjithmonë përfundojnë duke e dobësuar funksionalitetin e institucioneve tona.

Deklarata e saj ishte e qartë: Kuvendi nuk është i konstituar, sepse nuk ekziston baza ligjore. Mirëpo kur shkojmë në thelb të argumentit, aty ku gjithçka merr formë, kuptojmë se çfarë po thotë në të vërtetë: Kuvendi nuk është i konstituar sepse nuk është zgjedhur nënkryetari serb. Pra, sipas logjikës së Edita Tahirit, Kushtetuta e Kosovës nuk funksionon pa vulën e Listës Serbe. Jo sepse ata japin një votë, por sepse mungesa e tyre e kthen tërë procesin në peng. Ky është thelbi i një vetoje procedurale: shteti mbetet i bllokuar jo nga forca e ligjit, por nga boshllëku i një karrigeje që nuk zgjidhet.

Ky është versioni më i rafinuar i një vetoje etnike, i servirur si argument juridik. Nuk ka asgjë të ligjshme këtu, ka vetëm një pretendim politik që shitet si normë. Dhe këtu qëndron rreziku. Nëse pranojmë logjikën e Tahirit, atëherë kemi pranuar që shteti ynë të jetë peng i një boshllëku. Është njësoj si helmi i Vejushës së Zezë: i padukshëm në fillim, por i mjaftueshëm për të paralizuar trupin e Kosovës deri në vdekje.

Nuk është as hera e parë, as ndonjë befasi. Edita Tahiri ka qenë aty në çdo kompromis të madh që ka lënë shije të hidhur. Nga Rambujeja te marrëveshjet e Brukselit, ajo ka qenë pjesë e ekipit që solli Asociacionin e Komunave Serbe. Ajo e ka firmosur idenë se serbët në Kosovë nuk janë thjesht qytetarë me të drejta, por komunitet me të drejtë bllokuese. Dhe tani, vite më vonë, e paraqet të njëjtën ide sikur të ishte zbulesë juridike.

Kjo është ironia e historisë sonë politike: ata që kanë qenë autorët e helmit shfaqen sot si mjekët që diagnostikojnë simptomat. Tahiri flet për rregulla dhe ligj, por hesht për faktin se vetë ajo ka qenë një nga arkitektet e rregullave të gabuara që e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Ajo pretendon se është duke mbrojtur Kushtetutën, por e vërteta është se Kushtetuta nuk i jep askujt të drejtë vetoje mbi konstituimin e Kuvendit.

Në fund, çfarë mbetet nga ky debat? Një e vërtetë e thjeshtë: Edita Tahiri nuk e ka gjetur kurrë forcën të pranojë gabimet e saj. Ajo e sheh historinë si një skenë ku gjithmonë duhet të dalë fituese në retorikë, edhe kur është humbëse në substancë. Por kjo logjikë është pikërisht ajo që ka helmuar politikën tonë: kompromiset e hidhura që paraqiten si ligj, dhe dështimet e shndërruara në parime.

Prandaj, kur dëgjojmë sot Edita Tahirin të flasë për moskonstituimin e Kuvendit, e vetmja pyetje që duhet të bëjmë është kjo: a po na tregon për ligjin, apo thjesht po na rikujton plagët që na i la në emër të tij?

Kadri Kryeziu – Prizren, 18 shtator 2025