Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kadri Kryeziu: Ali Ahmeti duhet të kërkojë falje te varri i Beg Rizajt

 
   

Juristi Kadri Kryeziu ka reaguar ashpër ndaj prezencës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, në përurimin e obeliskut të heroit Afrim Zhitia në Llugë të Podujevës. Në një postim të tij, Kryeziu e cilëson këtë veprim si mungesë respekti ndaj familjeve të dëshmorëve dhe sakrificës së tyre.

“Arroganca për të parakaluar përpara familjeve të dëshmorëve, ndërsa vetë nuk ka respektuar kurrë sakrificën e tyre, është fyerje,” ka shkruar ai.

Kryeziu kujton heroin Beg Rizaj, të cilin e quan “sy-patremburin e tre luftërave” dhe që sipas tij, u mashtrua e u tradhtua në ngjarjet e Kumanovës. Ai thotë se Ali Ahmeti nuk ka bërë asgjë për ta ndihmuar në ato momente dhe as nuk ka nderuar më vonë sakrificën e tij.

“Nuk ka shkuar kurrë te varri i Begut, nuk ka vendosur një lule, nuk ka nderuar familjen e tij. Por del nëpër ceremoni, flet për heronj, sikur të mos mbante mbi supe barrën e një turpi,” ka shtuar juristi.

Postimi i plotë:

ALI AHMETI DUHET TË KËRKOJË FALJE TEK VARRI I BEG RIZAJT

Dje isha në Llugë të Podujevës, në përurimin e obeliskut për heroin Afrim Zhitia, shokun tim të burgut në Pozharevc. Ishte një ditë nderimi e kujtese. Por aty ishte edhe Ali Ahmeti.

Nuk e kuptova pse ky njeri shfaqet në ceremoni të tilla. Arroganca për të parakaluar përpara familjeve të dëshmorëve, ndërsa vetë nuk ka respektuar kurrë sakrificën e tyre, është fyerje.

Sot, rrugës për në Prizren, kalova në Deçan. Mu kujtua Beg Rizaj — sy-patremburi i tre luftërave, luani i betejave për liri. Njeriu që në këtë foto i ruante shpinën Ali Ahmetit. Dhe i njëjti njeri, vite më pas, u vra pabesisht në Lagjen e Trimave në Kumanovë. U mashtrua, u tradhtua, dhe u la të pushkatohej si trofe lufte.

Ku ishte atë ditë Ali Ahmeti? Çfarë bëri për ta ndihmuar? Asgjë.

Çfarë ka bërë që prej asaj dite? Asgjë.

Nuk ka shkuar kurrë te varri i Begut, nuk ka vendosur një lule, nuk ka nderuar familjen e tij. Por del nëpër ceremoni, flet për heronj, sikur të mos mbante mbi supe barrën e një turpi.

Kjo është fytyra e vërtetë e Ali Ahmetit: aty ku ka kamera, por kurrë aty ku ka përgjegjësi. Ai nuk i detyrohet Begut vetëm një lule, por një ndjesë publike. Duhet të shkojë te varri i tij, të bjerë në gjunjë dhe të kërkojë falje. Ky është minimumi i ndershmërisë.