Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Presidenti i Sirisë mban fjalim në OKB pas 60 vitesh, kritikon Izraelin

Presidenti i Sirisë, Ahmad al-Sharaa  mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të mërkurën, duke shënuar herën e parë që ndonjë president nga vendi i tij e ka bërë këtë në pothuajse 60 vjet.

Al-Sharaa u bë kreu i parë i shtetit sirian që foli në Kombet e Bashkuara që kur Noureddine Attasi mbajti një fjalim në vitin 1967 menjëherë pas luftës arabo-izraelite, gjatë së cilës Damasku humbi kontrollin e Lartësive të Golanit. Izraeli i aneksoi ato në vitin 1981.

Al-Sharaa kritikoi ashpër Izraelin në fjalimin e tij, duke thënë se Izraeli nuk i kishte ndaluar kërcënimet ndaj vendit të tij që nga rënia e Assadit dhe duke shtuar se politikat e tij “bien ndesh me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për Sirinë dhe popullin e saj” dhe rrezikojnë rajonin, citon AP.

Negociatat kanë qenë në vazhdim për një marrëveshje sigurie që al-Sharaa ka thënë se shpreson se do të sjellë tërheqjen e forcave izraelite dhe kthimin në një marrëveshje shkëputjeje të vitit 1974.

Ndërsa al-Sharaa tha javën e kaluar se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak ditësh, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të dielën duket se minimizoi shanset e një përparimi.