
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e falsifikimit të votave në zgjedhjet e vitit 2021, ku po akuzohen Përparim Përvetica, Arbër Krasniqi, Ilirjan Hysenaj dhe Sahit Mataj, dëshmitari Dardan Stublla tha se nuk ka njohuri pse është ftuar si dëshmitar dhe se nuk i ka takuar asnjëherë më parë të akuzuarit, të cilët i ka parë për herë të parë në seancën e kaluar.
Ai shtoi se nuk ka dijeni për çfarë akuzohen të pandehurit, pasi vetëm i kishte ndihmuar bashkëshortes së tij me mbështetje logjistike për përpilimin e vizitë-kartave, posterave dhe për fushatë tek kolegët dhe miqtë, meqë ajo kishte qenë kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Lidhur me dëshmitarin Stublla, prokurori i rastit, Ilir Morina, tha se prokuroria ka hequr dorë nga dëgjimi i tij.
Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Sahit Mataj, avokatit Driton Musliu, nëse e njihte të mbrojturin e tij, Stublla tha se nuk e kishte njohur kurrë më parë. Po ashtu, e njëjta përgjigje u dha edhe për të akuzuarin Ilirjan Hysenaj, kur pyetja iu drejtua nga mbrojtësi i tij, avokati Ymer Beka.
Mbrojtësi i të akuzuarit Arbër Krasniqi, avokati Genc Humolli, tha se nuk kishte pyetje për dëshmitarin, njëjtë si mbrojtësi i të akuzuarit Përparim Përvetica, avokati Muhamet Mehmeti.
Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohej edhe dëshmitarja Vlera Leti, e cila nuk ishte prezente, pasi kishte harruar se seanca ishte caktuar për ditën e sotme.
Lidhur me këtë, gjykatësi i rastit, Vesel Ismaili, tha se, marrë parasysh komunikacionin, ishte e pamundur që ajo të arrinte me kohë. Sa i përket dëgjimit të saj, gjykatësi sqaroi se, meqë prokuroria ka hequr dorë nga dëgjimi i saj, pyeti mbrojtjen nëse pajtohej që të lexohej deklarata e dhënë më parë në polici. Mirëpo, mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Hysenaj, avokati Ymer Beka, tha se kjo dëshmitare ishte propozuar nga mbrojtja dhe se ata kishin përgatitur disa pyetje për të, prandaj kërkuan që ajo të dëgjohet në seancën e ardhshme.
Meqë dëshmitarja Leti nuk ishte e pranishme, seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë me dëgjimin e saj në seancën e radhës.
Ndryshe, më 13 nëntor 2023 Gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi pasi që të njëjtit kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Prandaj, ndaj Halilajt më 14 nëntor 2023 edhe është bërë shpallja e aktgjykimit, duke u dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit.
Kurse, Gashi është dënuar me 12 muaj burgim me kusht, në mënyrë që për 12 muaj të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale, si dhe dënim plotësues 12 muaj ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike.
Kurse ndaj Shalës, Krasniqit, Matajt, Përveticës dhe Hysenajt, vazhdoi procesi gjyqësor. Në seancën e 20 shkurtit 2025, Gjykata ka veçuar procedurën për ish-deputetin Haxhi Shala, pasi i njëjti po gjykohet në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 30 dhjetor 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj ish-deputetit Haxhi Shala, Arbër Krasniqit, Sahit Matajt, Përparim Përveticës, Ilirjan Hysenajt, Granit Halilajt dhe Dardan Gashit, të cilët akuzohen për falsifikim të rezultateve të votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, përmes falsifikimit iu shtuan vota ish-ministres Meliza Haradinaj-Stublla nga subjekti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe kandidatit për deputet, Haxhi Shala.