
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot patriotin, artistin dhe aktivistin politik, Jusuf Gërvallën, në 80-vjetorin e lindjes së tij.
“Jusuf Gërvalla, një nga personalitetet më të rëndësishme në historinë politike të Kosovës, u lind më 1 tetor 1945 në fshatin Dubovik të Deçanit. Sikur jeta e tij të mos ndërpritej dhunshëm nga atentati politik i organizuar nga shteti i Serbisë më 17 janar 1982 në Gjermani, sot ai do të mbushte 80 vjet”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se, pavarësisht jetës së shkurtër që iu ndërpre kur ishte vetëm 36-vjeç, Gërvalla la pas një trashëgimi të pasur në kulturë dhe politikë.
“Jusufi formësoi një profil të rrallë, duke qenë gazetar, poet, shkrimtar, këngëtar dhe aktivist politik, një figurë unike në historinë e inteligjiencës kulturore dhe të artistëve të angazhuar politikisht në Kosovë. Këngët dhe poezitë e tij kanë mbijetuar kohërave, ashtu si shembulli i tij i përkushtimit për çështjen kombëtare dhe thellësisë në mendim politik”, tha ai.
Kurti solli në kujtesë edhe vargjet e këngës së njohur të Jusufit “Do të kthehem, nënë”, ku ai i këndonte vendlindjes dhe shpresës për të ardhmen, duke e cilësuar këtë një testament shpirtëror të tij për gjeneratat pasuese.