
Hamasi njoftoi se delegacioni i tij i udhëhequr nga Khalil al-Hayya, lider lëvizjes në Gaza, ka mbërritur në Egjipt për të filluar negociatat mbi armëpushimin, transmeton Anadolu.
Një deklaratë me shkrim nga Hamasi thuhet se “Delegacioni i lëvizjes, i udhëhequr nga Khalil al-Hayya, ka mbërritur në Egjipt për të filluar negociatat mbi armëpushimin, tërheqjen e forcave pushtuese dhe shkëmbimin e pengjeve”.
Në deklaratë nuk u dhanë detaje në lidhje me kohëzgjatjen e vizitës apo kalendarin e takimeve.
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Egjiptit thuhet se në kuadër të planit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Egjipti do të presë delegacionet izraelite dhe të Hamasit të hënën për të diskutuar mbi shkëmbimet e pengjeve dhe përfundimin e luftës në Rripin e Gazës.
“Bisedimet indirekte do të trajtojnë përmirësimin e kushteve në terren dhe detajet në lidhje me shkëmbimin e të gjithë pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë. “Shpresojmë që ky proces të kontribuojë në përfundimin e luftës dhe lehtësimin e vuajtjeve të popullit palestinez”, thuhet në deklaratë.
Kryenegociatorët e të dyja palëve do të jenë në resortin Sharm el-Sheikh, përkrah emisari të SHBA-së, Steve Witkoff dhe dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner. Po ashtu do të jetë prezent edhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.
Në një postim të dielën vonë në rrjetin social “Truth Social”, Trump u bëri thirrje të gjithëve “të lëvizin shpejt”.
Trump po synon që faza e parë e marrëveshjes të finalizohet këtë javë.
“Po u kërkoj të gjithëve të lëvizin shpejt. Koha është thelbësore apo gjakderdhje masive do të pasojë, diçka që nuk do askush të shohë”, tha Trump.