Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Eksperti thotë se Liridona Ademaj u vra nga një distancë 2-5 centimetra

 
   

Gjatë dëshmisë së tij në seancën ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, eksperti mjeko-ligjor Naim Uka i cili ka kryer autopsinë e tani të ndjerës Liridona Ademaj, tha se distanca e qitjes ka qenë 2-5 centimetra.

“Gjatë ekzaminimit të plagës hyrëse kemi konstatuar përreth vrimës hyrëse prezencën e faktorëve plotësues të qitjes, të cilët kanë shkaktuar edhe djegien lëkurore me prezencë të grimcave të barutit dhe në bazë të këtyre provave mjeko-ligjore është konstatuar se distanca e qitjes sillet prej 2 deri në 5 cm. Përjashtohet mundësia e vrasjes me puthitje apo gjysmëputhitje për shkak të mungesës së stampimit të tytës së armës në indet e buta përreth vrimës hyrëse të plagës”, tha Uka, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai shtoi se plaga është përshkruar se ka formë trekëndëshe, e cila është shoqëruar me thyerje të shumëfishta.

“Në raste të ngjashme kur mungojnë të dhënat preliminare nga vendi i ngjarjes gjatë kryerjes së autopsisë, kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të të ndjerit/ndjerës. Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminimin e dy duarve të të ndjerës, në mënyrë që bazuar në prezencën apo mungesën e faktorëve plotësues të qitjes dhe njollave të gjakut, është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë apo të ketë shkaktuar vetëvrasje”, tha ai.

Po ashtu, Uka theksoi se gjatë ekzaminimit të jashtëm trupor, është konstatuar gjakderdhja e mbledhur.

“Bazuar në literaturën shkencore mjeko-ligjore dhe praktikat mjeko-ligjore, dëshmon se kjo gjakmbledhje është shkaktuar para apo gjatë vrasjes së tani të ndjerës. Përjashtohet çdo mundësi tjetër që kjo gjakderdhje të jetë shkaktuar pas vdekjes së të ndjerës”, shtoi ai.

I akuzuari Naim Murseli tha se sipas Prokurorisë ai ka mbajtur tani të ndjerën për të mos iu shmangur plumbit. Për këtë, ai e pyeti ekspertin nëse edhe raporti i tij e thotë një gjë të tillë.

Eksperti tha se nuk paragjykojnë pozitën apo situatat të cilat kanë mundur të jenë në momentin e vrasjes së tani të ndjerës.

“Mjeku ligjor e ka obligim të bëjë përshkrimin e qartë të çdo dëmtimi trupor, duke përshkruar karakteristikat në bazë të të cilave bëhet interpretimi i provave mjeko-ligjore për prokurorin e shtetit në fazat e hetimit dhe për kolegjin e trupit gjykues në fazën e gjykimit”, tha ai.

Murseli po ashtu e pyeti nëse është e vërtetë që lëndimi mund të jetë shkaktuar 59 minuta apo 10 sekonda para vdekjes.

Për këtë, Uka tha se ka mundur të shkaktohet deri në 3 orë para vdekjes.

Po ashtu, eksperti theksoi se nuk mund ta përjashtojë mundësinë e vetëlëndimit në tentativë për të ikur, por që kjo tha se nuk është detyrë e tij.

Seanca pritet të vazhdojë pasdite me dëgjimin e dëshmitarëve.