
Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje nga sistemi prokurorial, prokurorja Laura Pula, ka pritur sot në takim përfaqësues të Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EEM), të kryesuar nga analistja ligjore Eirini Skouzou.
Gjatë takimit të mbajtur në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, u diskutua për rrjedhën e përgatitjeve për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës, që do të mbahen më 12 tetor 2025, me theks të veçantë në planin operativ të Prokurorit të Shtetit për ditën e zgjedhjeve.
“Koordinatorja Laura Pula informoi përfaqësuesit e misionit evropian lidhur me angazhimin institucional të Prokurorit të Shtetit për mbrojtjen e votës së lirë, si dhe për masat që do të ndërmerren për garantimin e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se u diskutua për bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit për procesin zgjedhor, si dhe për koordinimin mes prokurorive dhe Koordinatores Nacionale, në rast të ndonjë cënimi të mundshëm të integritetit të zgjedhjeve.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve nga BE prezantuan rolin dhe mandatin e tyre në monitorimin dhe vlerësimin e procesit zgjedhor në Kosovë.