1
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka reaguar ndaj deklaratës së lëshuar më 4 tetor 2025 nga Ministria e Jashtme e Serbisë, duke e konsideruar atë si një përpjekje për të rikthyer tensionet dhe narrativat e së kaluarës në një rajon që synon paqen dhe të ardhmen evropiane.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh keqardhjen e thellë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Serbisë, e cila përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Moneytizer Paragrafi 2
Reagimi i Shqipërisë hedh poshtë akuzat dhe pretendimet e Serbisë si të pabaza dhe të motivuara politikisht.
“Në këtë deklaratë ngrihet një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri”, thuhet tutje në reagim.
Moneytizer Paragrafi 4
Ministria shqiptare kujtoi gjithashtu të vërtetat historike të vitit 1999 dhe pasojat e luftës në Kosovë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre”, theksohet tutje në reagim.
Deklarata reagon edhe ndaj referencës që Serbia i bën raportit të Dik Martit, duke e cilësuar atë si të pabesueshëm dhe të tejkaluar.
“Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”
Më tej, Shqipëria thekson se këto përpjekje për të manipuluar të kaluarën janë të papranueshme.
“Çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton”, thuhet tutje në reagim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë në këtë reagim vë theksin mbi përgjegjësinë për të ndërtuar të ardhmen mbi të vërtetën:
“Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”, thuhet në reagim.
Në përfundim, Ministria shpreh angazhimin e Shqipërisë për bashkëpunim rajonal dhe fqinjësi të mirë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit. Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.
Artikull i sponzorizuar
KosovaSerbiaMinistria për Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë