
Partitë shqiptare në Graçanicë janë bërë bashkë për garën e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar për një kandidat për kryetar të kësaj komune si dhe për një listë të përbashkët për kuvend komunal.
Leutrim Ajeti është kandidati unifikues që garon me listën “Aleanca Shqiptare”. Ajeti përfaqëson një front të bashkuar që synon përfaqësim të drejtë dhe gjithëpërfshirës në njërën nga dhjetë komunat e njohura me shumicë serbe.
Sipas regjistrimi të fundit të popullsisë, shqiptarët janë komuniteti më i madh në Graçanicë, komunë kjo rreth 9 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës që banohet nga gjithsej 18 mijë e 500 banorë. Sa i përket ndarjes etnike, në Graçanicë jetojnë 8.623 shqiptarë dhe 8.560 serbë.
Me një platformë të qartë për qeverisje të ndershme dhe mbështetje për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo përkatësie politike, Ajeti shpreh bindjen e tij se më 12 tetor do të arrijë ta fitojë këtë garë.
Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se, nëse i jepet besimi për të udhëhequr, do t’u shërbejë me përkushtim të gjitha komuniteteve që jetojnë në Graçanicë.
Ajeti: Nuk do të bëj dallime në Graçanicë
“Unë besoj që kryetari, në këtë rast unë, do të jem i njëjtë për të gjithë nuk do të bëjë dallime si për serbët, si për romët, ashkalinj e të gjitha komunitetet që jetojnë në Graçanicë do të jemi i barabartë. Pra, emri im është Leutrim Ajeti unë jam shqiptar po do të jem i njëjtë për të gjithë dhe nuk do të bëj dallime për askënd…Unë besoj fuqishëm që të dielën, më 12 tetor do ta marrim besimin nga qytetarët dhe do ta shpallim fitoren…Jam i bindur që do të fitojmë me të parën, por nëse ka balotazh jam i përgatitur edhe për balotazh“, theksoi ai.
Ajeti, duke folur për mënyrën se si u arrit marrëveshja mes partive shqiptare për ta mbështetur atë si kandidat të përbashkët, u shpreh se ky vendim erdhi pa vështirësi të mëdha.
Ajeti: Bashkimi i të gjitha partive nuk ishte i vështirë
“Nuk e ka qenë e lehtë, por jo edhe shumë e vështirë sepse puna ime si nënkryetar e ka bërë të mundshme këtë bashkim sepse nuk kam bërë dallime për asnjë parti, për asnjë individ dhe kjo e ka mundësuar që unë të jem sot kandidati i të gjitha partive politike në Graçanicë, por edhe i njerëzve profesionistë të Graçanicës”, shprehet Ajeti.
Sipas tij, gjithnjë e më shumë qytetarë serbë në Graçanicë po shprehin pakënaqësi me gjendjen aktuale dhe po kërkojnë ndryshim real në udhëheqje.
Ajeti: Shumica e serbëve në Graçanicë po kërkojnë ndryshim
“Unë besoj që edhe ata [serbët] janë duke kërkuar ndryshimin një pjesë e madhe e tyre dhe besoj që të dielën më 12 tetor edhe ata do të jenë pro ndryshimit dhe do të votojnë listën tonë në këtë rast mua si kandidat për kryetar”, deklaroi kandidati për kryetar të Graçanicës.
Leutrim Ajeti premtoi formimin e një kabineti multietnik dhe përfshirjen aktive të të gjitha komuniteteve në këtë komunë.
Ajeti: Kabineti im do të jetë shumë etnik
“Ashtu siç është shumë etnike [komuna] do të jetë edhe kabineti im shumë etnik, do të ketë një përfaqësim shumë etnik nga të gjitha komunitete. Nuk do të bëj dallime as në ekzekutiv dhe as në kabinet, do të kem përfaqësim nga të gjitha komunitetet”, deklaroi Ajeti.
Përmirësimi i mjedisit, zhvillimi i transportit publik dhe investimet në infrastrukturë janë ndër prioritetet kryesore që Leutrim Ajeti synon t’i realizojë nëse merr drejtimin e Komunës së Graçanicës.
Ajeti: Prioritet i imi është ambienti, transporti publik e infrastruktura
“Nënkalimi në qendër të Graçanicës, çështja e ambientit, transporti publik, infrastruktura në çdo pjesë të komunës së Graçanicës…Do ta themeloja një grup punues në lidhje me ambientim sepse komuna e Graçanicës ka telashe të mëdha me ambientin dhe shqetësime të mëdha, do të themeloja një grup punues ku do të përfshiheshin gjithë akterët në komunë të Graçanicës, shoqëria civile dhe nga Ministria e Ambientit, dhe do ta krijonim një strategji të shpejt për ta evituar problemin e ambientit që janë mbetjet në Kishnicë…ujërat e zeza në zonën industriale”, deklaroi ai.
Më 12 tetor qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur udhëheqjen e tyre komunale. Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale ka nis më 13 shtator.