
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino do të qëndrojë për vizitë në Kosovë më datën 9 tetor.
I pari i FIFA-s me këtë rast do të dekorohet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni solemne.
Kështu është bërë e ditur nga vet presidenca e Kosovës e cila ka ftuar në këtë ngjarje edhe gazetarët e sportit.
Për këtë ngjarje, presidentja Vjosma Osmani është falënderuar edhe nga Presidenti Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka shkruar se “ky akt i lartë institucional është një dëshmi e respektit që Republika e Kosovës ka për rolin dhe kontributin e z. Infantino si President i FIFA-s, për zhvillimin e futbollit tonë dhe afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare”.
“Dekorimi i Presidentit Infantino është një vlerësim që shkon përtej individit dhe është një nder edhe për gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rrugëtim të gjatë e të lavdishëm”, ka shkruar Ademi.