Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Koalicion veç me qytetarët, Besnik Osmani zotohet për transformim të Fushë Kosovës

 
   

Rrugë që lidhin Fushë Kosovën me Prishtinën, shkolla e çerdhe të reja, bursa për studentë dhe një shesh qendror për qytetarët – janë disa nga zotimet e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besnik Osmani, në garën për kryetar të kësaj komune.

Me përvojë të gjatë në administratën publike, së fundi nënkryetar i kësaj komune, dhe trajnim profesional në vendet perëndimore, Osmani thotë se është i gatshëm të udhëheq komunën, dhe se koalicioni i tij i vetëm është me qytetarët.

Një nga sfidat kryesore në këtë komunë vazhdon të mbetet trafiku, për çka Osmani thotë në një intervistë për KosovaPress se synon të rregullojë këtë problem me shtimin e numrit të parkingjeve.

Osmani: Prioriteti ynë janë rrugët e reja që na lidhin me kryeqytetin

“Për mua, prioritet në rend të parë janë rrugët e reja që na lidhin me kryeqytetin, në të dy anët e Fushë Kosovës, janë shtimi i parkingjeve dhe parkingjeve nëntokësore që do të bëhen brenda qytetit, në mënyrë që të krijojmë një mobilitet shumë më të madh dhe të krijojmë edhe një dalje të re të lagjes ‘Dardania’, tek pompa me një rrethrrotullim në mënyrë që qasja të jetë më e lehtë në rrugën ‘Nëna Tereza’”, thotë Osmani.

Osmani thotë se në këtë komunë do të ndërtohen tri shkolla dhe po aq çerdhe, për të përmirësuar kushtet për nxënësit dhe për të ulur numrin e madh të tyre në klasa.

Osmani: Janë tri shkolla dhe tri çerdhe të reja të cilat do ti bëjmë në Fushë Kosovë

“Janë tri shkolla dhe tri çerdhe të reja të cilat do t’i bëjmë në Fushë Kosovë, e rëndësishme është qendra ikonë e kulturës ku do të akomodojmë të gjitha institucionet e kulturës nga muzeu i qytetit, pjesa e teatrit, bibliotekës, galerisë. Do të bëjmë qendrën e re të emergjencave, do të ndajmë qendrën stomatologjike në, mënyrë të veçantë. Këto aktivitete do të shtrihen përtej në fshatra, janë tre çerdhe të reja në fshatra, pesë stadiume të reja në fshatra derisa përfundojmë stadiumin në qytet”, thekson ai.

Besnik Osmani i cili vjen nga partia që ka udhëhequr deri më tani me Komunën e Fushë Kosovës, thotë se do të ndërtojnë edhe një shesh qendror në qytet.

Sipas tij, rruga “Xhemajl Mustafa” mund të shndërrohet në një zonë për këmbësorë.

Osmani: Pjesa kryesore e sheshit është nga rrethrrotulimi deri te stacioni i trenit

“Në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ dëshirojmë që ta kthejmë një vend të vogël, sepse është një rrugë shumë simpatike dhe mund të kthehet në një vend të kalldrëmit të lëvizjes së këmbësorëve, pa makina edhe me verandat që tashmë vetëm kanë filluar të marrin frymë në atë pjesë të qytetit. Jemi duke punuar edhe në tre rrugë kryesore ku do të zgjerohen trotuaret, po ashtu edhe ndriçimi publik i ri, do të kemi vetëm një korsi për lëvizjen në bazë të planit të mobilitetit. Pjesa kryesore e sheshit është nga rrethrrotulimi deri te stacioni i trenit, është një hapësirë shumë e mirë”, thotë Osmani.

Në qendër të qeverisjes së LDK-së, nënkryetari i deritanishëm i LDK-së në Fushë Kosovë thotë të jenë edhe të rinjtë, gratë dhe të moshuarit.

Osmani: Do të japim bursa prej 1 mijë euro për studentët e dalluar

“Për të gjithë studentët që kanë notë mesatare prej 9 në mënyrë automatike të gëzojnë të drejtën e bursës në vlerë prej një mijë euro… Parashoh shtëpinë e të moshuarve, është një qendër që i mungon komunës së Fushë Kosovës.. Kemi shumë raste kur gruaja ka nevojë për ndihmën e shtetit, për një mbështetje të përkohshëm financiare, veçmas kur i nënshtrohen për arsyeje të ndryshme divorceve dhe dhunës eventuale që mund të ushtrohet, ne dëshirojmë të krijojmë një strehë të sigurt, në mënyrë që ne të kemi mundësi të strehojmë fëmijët dhe nënat në rast nevoje… Ne kemi futur në programin qeverisës, për çdo fëmijë të lindur të japim një ndihmë financiare”, nënvizon ai.

Kandidati i LDK-së thotë se nuk do të hyjnë në koalicione politike pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke thënë se “koalicioni i vetëm i imi më i madhi dhe i sigurti janë qytetarët e komunës së Fushë Kosovës”.

Osmani: Koalicioni ynë i vetëm, ai me qytetarët

“Unë besoj që ditën e diel, do të votojnë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për kuvend komunal por, edhe mua si kryetar të komunës. Pritjet e mia janë që të mbyllen me datën 12 mbi bazën e këtij emancipimi qytetarë. Koalicioni i vetëm i imi më i madhi dhe i sigurti janë qytetarët e komunës së Fushë Kosovës”, përfundon Osmani.