Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Fetoshi: Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhje, kërcënim për sigurinë kombëtare

 
   

Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, ka publikuar analizën e tij të titulluar “Koreografia gjeopolitike e 12 tetorit”, në të cilën trajton ndikimin e Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë dhe rrezikun që ky ndikim paraqet për sigurinë kombëtare.

Në këtë analizë, Fetoshi thekson se rëndësia e zgjedhjeve lokale të së dielës (12 tetor) i tejkalon suazat e një gare politike për qeverisjen e komunave në Kosovë.

Sipas tij, ndërhyrjet e Serbisë, më agresive se në të kaluarën për shkak të dështimit të politikës së bojkotit në vitin 2022 dhe rënies së kontrollit të saj në veri, i kanë kthyer këto zgjedhje në një fushëbetejë gjeopolitike që kalkulon arritjen e qëllimeve përmes rreshtimit me boshtin rus.

“Ajo që kamuflohet si fushatë zgjedhore e Listës Serbe është në fakt një koreografi e përgatitur në Beograd për ta vazhduar kontrollin mbi komunitetin serb si instrument politik kundër Republikës së Kosovës,” shkruan Fetoshi.

Në analizën e tij, Fetoshi thekson se Serbia nuk e ka hallin e votave dhe se minimi i demokracisë në Kosovë nuk është vetëm agjendë ideologjike e saj. Ai kujton se pas dështimit të strategjisë së bojkotit në vitin 2022 dhe tkurrjes së Listës Serbe në vitin 2025, Beogradi ka projektuar rikthimin e ndikimit përmes komunave me shumicë serbe dhe përmes një strategjie të re destabilizimi.

Sipas tij, duke pasur parasysh “thellësinë strategjike” të Kosovës me prezencën e NATO-s dhe aleatët perëndimorë, Serbia kërkon “gjerësi strategjike” përmes lidhjeve me Rusinë dhe Kinën.

“Mbështetja e saj për Listën Serbe nuk është pozicion gare apo preferencë politike, por një instrument për ta rikthyer kontrollin në komunat me shumicë serbe,” shkruan Fetoshi, duke shtuar se ndërhyrjet për ta mobilizuar votën në favor të këtij subjekti nuk duhen parë thjesht si cenim i vullnetit demokratik të qytetarëve, por si mesazh për ta portretuar Beogradin si qendër të vendosjes.

Ai thekson se përmes kontrollit mbi komunitetin serb, presidenti Aleksandar Vuçiq vazhdon ta përdorë atë si instrument politik për sabotimin e Kosovës, duke ngritur fushata mashtruese dhe duke përdorur taktika hibride që përfshijnë mediat, kulturën, rrjetet e spiunazhit dhe sulmet kibernetike.

Në analizë, Fetoshi nënvizon se fushata e zgjedhjeve të 12 tetorit është shoqëruar me përdorimin e simboleve kulturore pro-ruse dhe me narrativa që shtrembërojnë të vërtetën.

Ai përmend koncertin e planifikuar nga Lista Serbe me këngëtaren pro-ruse Breskvica, e njohur për këngën me përmbajtje shoviniste “Foleja e shqiponjës” (Gnezdo orlovo), si shembull të qartë të këtij rreshtimi.

“Koncerti konfirmon jo vetëm rolin e këtij subjekti si vegël e Beogradit, por edhe rreshtimin e tij pro-rus,” thekson Fetoshi.

Sipas tij, ndalimi i këtij provokimi për shkaqe të sigurisë u pasua me akuza ndaj policisë për represion dhe me deklarata të forta nacionaliste nga Lista Serbe.

Ai vëren se diskursi elektoral i këtij subjekti ka përdorur të njëjtin kornizim shovinist me atë të Beogradit, përmes thirrjeve si “vota për Listën Serbe, votë për çlirimin e Mitrovicës”, apo me narrativa “viktimizuese” që paraqesin kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre si “albanizim të komunave serbe”.

Fetoshi shkruan se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet e 12 tetorit përfshin metoda si presioni politik, përmes linçimit të kandidatëve të pavarur si “tradhtarë” apo “vegla të Prishtinës”; shantazhi, me premtimin e Vuçiqit për shpalljen e 400 vendeve të punës në shërbimin shëndetësor; dhe blerja e votës, përmes ndihmës financiare që Petkoviq e paraqet në emër të asistencës sociale.
Kërcënimet ndaj votuesve dhe kandidatëve të pavarur, sipas tij, janë pjesë e të njëjtit model të ndërhyrjes dhe frikësimit politik.

Në pjesën përmbyllëse të analizës, Fetoshi e cilëson përdorimin e muzikës, liturgjive dhe forumeve ndërkombëtare si strategji politike që synon “armatosjen e brendshme” dhe “mashtrimin e jashtëm”. Ai thekson se kur një këngëtare promovohet nga rrjet mediatik i dirigjuar dhe me narrativa të sinkronizuara me agjendën e Moskës, atëherë fushata për zgjedhjet lokale merr përmasa gjeopolitike.

Fetoshi paralajmëron se nënteksti i mesazheve triumfaliste të Listës Serbe rezonon me thirrjet shoviniste “kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Ai e sheh këtë si kërcënim të vazhdueshëm për paqen në Ballkan, ku Serbia militariste paraqitet si viktimë sa herë që Kosova forcon kapacitetet e saj mbrojtëse.

Në analizë, Fetoshi ndalet edhe te reagimet e zyrtarëve serbë pas arritjes së kontingjentit të dronëve kamikazë “Skydagger FPV” për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Sipas tij, akuzat e Serbisë ndaj Turqisë për “shkelje të Rezolutës 1244” dhe pretendimet se kjo përbën kërcënim për paqen, janë pjesë e strategjisë DARVO (mohim, agresion, viktimizim).

“Një shtet me të kaluar gjenocidale, që e ka sulmuar (2023) dhe vazhdon ta provokojë Kosovën, e që është militarizuar kërcënueshëm në vitet e fundit, ‘ankohet’ se Kosova po i rrit kapacitetet e veta të mbrojtjes,” shkruan ai.

Në përfundim, Fetoshi e quan këtë skenar “koreografi gjeopolitike” të zgjedhjeve të 12 tetorit dhe thekson se vetëm e vërteta mund të shërbejë si mekanizëm efikas parandalimi. Ai bën thirrje për vigjilencë dhe gatishmëri të lartë të institucioneve të sigurisë, për dokumentimin dhe demaskimin e dirigjentit në Beograd nga mediat dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.

“Serbia do të digjej më keq se Rusia në Moldavi dhe vullneti demokratik do të triumfonte në Kosovë,” përfundon Fetoshi.