Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Cila parti pati rënie e cila u ngrit në këto zgjedhje lokale, flet Eugen Cakolli

 
   

Eugen Cakolli nga KDI ka vlerësuar se zgjedhjet lokale të 2025-ës kanë dhënë një pamje shumë të larmishme të hartës politike të Kosovës, me rezultate që ndryshojnë dukshëm nga ato të vitit 2021.

Sipas tij, nëse mblidhen votat e të gjitha komunave, Vetëvendosje prin në nivel vendi me rreth 27% për kandidatët për kryetarë, ndërsa LDK udhëheq me rreth 24% për kuvendet komunale.

LVV ka fituar pa balotazh në 3 komuna dhe është e para në 2 që shkojnë në balotazh.

LDK ka dy fitore pa balotazh dhe kryeson në 6 komuna të tjera.

PDK fiton në 3 komuna pa balotazh dhe udhëheq në 4 të tjera.

AAK ruan nivelin e mëparshëm me 1 fitore pa balotazh dhe 4 komuna ku del e para.

Postimi i plotë:

Zgjedhjet lokale dhanë një pamje shumë të larmishme dhe interesante të hartës politike të Kosovës, posaçërisht krahasuar me zgjedhjet paraprake. Më poshtë janë përmbledhjet e përgjithshme dhe për secilën parti. Sidoqoftë, sipas rezultateve të deritanishme, balotazhi do të jetë edhe më interesant.

Nëse mblidhen votat e të gjitha komunave për kandidatët për kryetarë, prin LVV me rreth 27% në nivel vendi, ndërsa për kuvendet komunale prin LDK me rreth 24%.

• LVV fituar pa balotazh në 3 komuna (Kamenicë, Podujevë, Shtime); është e para në 2 komuna që shkojnë në balotazh (Gjilan, Fushë Kosovë); dhe është e dyta në 10 komuna (Gjakovë, Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Viti, Vushtrri).

– Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, LVV ka bërë përparim të dukshëm. Nga asnjë komunë e fituar pa balotazh atëherë, këtë herë ka 3 fitore, ndonëse numri i komunave ku del e para ka rënë nga 5 në 2. Në të njëjtën kohë, numri i renditjeve të dyta është rritur – nga 8 në 10.

• LDK ka fituar pa balotazh në 2 komuna (Istog, Lipjan); është e para në 6 komuna që shkojnë në balotazh (Dragash, Obiliq, Pejë, Prishtinë, Viti, Junik); dhe është e dyta në 3 komuna (Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë).

– LDK ruan pothuajse të njëjtin nivel si në vitin 2021. Numri i komunave të fituara pa balotazh mbetet i pandryshuar (2), ndërsa ato ku del e para në balotazh janë rritur nga 5 në 6. Ndërkaq, renditjet e dyta kanë rënë nga 4 në 3.

• PDK fituar pa balotazh në 3 komuna (Skenderaj, Ferizaj, Hani i Elezit); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Kaçanik, Mitrovicë e Jugut, Prizren, Vushtrri); dhe është e dyta në 2 komuna (Dragash, Klinë).

– PDK ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 4 në 3, komunat ku del e para nga 6 në 4, ndërsa renditjet e dyta nga 4 në 2.

• AAK ka fituar pa balotazh në 1 komunë (Deçan); është e para në 4 komuna që shkojnë në balotazh (Gjakovë, Klinë, Rahovec, Suharekë); dhe është e dyta në 1 komunë (Junik).

– AAK mbetet në nivel të ngjashëm me zgjedhjet e vitit 2021. Fitoret pa balotazh kanë rënë nga 2 në 1, ndërsa numri i komunave ku del e para mbetet i pandryshuar (4). Edhe renditjet e dyta janë të njëjta (1 komunë).