Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

A mund të parashikojnë ëndrrat sëmundjen?

Ëndrrat zbulojnë atë që fshihet në nëndijen tonë, ato janë pasqyrë e emocioneve, frikërave dhe tensioneve që shpesh nuk i pranojmë vetë. Nëpërmjet ëndrrave ne shpesh zgjidhim konflikte të brendshme, kuptojmë diçka që nuk arrijmë ta shohim me vetëdije – por a mund të ndodhë që ëndrrat të paralajmërojnë edhe sëmundje fizike, madje para se të shfaqen simptomat e para?

Sipas disa studimeve, ëndrrat mund të sinjalizojnë prirjen për zhvillimin e një sëmundjeje shumë më herët sesa njeriu ta kuptojë. Ka raste të dokumentuara ku njerëzit kanë raportuar ëndrra të përsëritura që i kanë paralajmëruar për sëmundje si kanceri, tuberkulozi apo madje edhe për një sulm në zemër. Edhe pse prova të drejtpërdrejta shkencore ka pak, duket se truri mund të perceptojë ndryshimet në trup shumë më herët dhe t’i përkthejë ato në simbole gjatë gjumit.

Një shembull i përmendur në librin Psikoterapitë e pacientëve me kancer, nga Jane G. Goldberg, përshkruan një burrë i cili tregon se bashkëshortja e tij kishte pasur për dy javë me radhë ëndrra të tmerrshme ku qentë i shqyenin barkun, pak muaj më vonë asaj iu diagnostikua kanceri në stomak. Ai besonte se ato ëndrra ishin paralajmërimi i parë i sëmundjes.

Ky fenomen quhet ëndërr prodromale – nga fjala latine prodromus, që do të thotë “paralajmërues”. Që nga kohët e lashta besohej se ëndrrat mund të tregojnë për praninë e sëmundjeve ende të padukshme. Mjeku i famshëm grek Galen, në librin e tij Profecitë në ëndërr, përshkruan një burrë që pa në ëndërr këmbën e kthyer në gur, dhe pak ditë më pas ajo iu paralizua. Në Greqinë e lashtë, njerëzit shkonin në tempujt e Asklepit, zotit të mjekësisë, për të fjetur aty dhe për t’u shëruar përmes ëndrrave që më pas i interpretonin priftërinjtë.

Edhe Aristoteli besonte se sëmundjet nisin në mënyrë të padukshme dhe se shenjat e para mund të shfaqen vetëm gjatë gjumit, kur trupi dhe truri janë më të qetë. Po ashtu, psikologu Carl Gustav Jung e analizoi fenomenin e ëndrrave që shfaqin gjendje trupore: në një rast, ai parashikoi se një pacient që kishte ëndërruar për “rreth të bllokuar me baltë” kishte problem organik me qarkullimin e lëngut cerebrospinal.