
Kandidati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri është shprehur krenarë me ata që e votuan, ndonëse nuk arriti të fitojë në zgjedhjet lokale.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai thotë se dashuria e tij për qytetin as nuk rritet e as nuk zvogëlohet nga rezultati i një gare, por siç shkruan Tahiri, ajo është e përjetshme.
“LDK në Vushtrri sot është parti stabile, me njerëz të vërtetë, me aktivistë që dhanë çdo energji për këtë betejë. Herët ose vonë, fitorja është e jona”, ka shkruar ai.
Në Vushtrri, i pari doli Ferit Idrizi nga PDK-ja me 13 mijë e 526 vota, i dyti Sylejman Meholli nga VV-ja me 9 mijë e 93 vota, duke lënë të tretin Xhafer Tahirin me 5 mijë e 854 vota.
Reagimi i plotë
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë,
Faleminderit secilit prej jush që votuat për mua, për programin tonë dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Edhe pse këtë herë nuk fituam, jam thellësisht krenar për secilin nga ju – për fushatën dinjitoze, për përkushtimin e sinqertë dhe për programin e vetëm politik që në qendër kishte gruan dhe mirëqenien e familjes vushtrriase.
Dashuria ime për qytetin e zemrës as nuk rritet e as nuk zvogëlohet nga rezultati i një gare – ajo është e përjetshme.
LDK në Vushtrri sot është parti stabile, me njerëz të vërtetë, me aktivistë që dhanë çdo energji për këtë betejë.
Herët ose vonë, fitorja është e jona.
Me respekt e mirënjohje,
Xhafer Tahiri
Kryetar i LDK Vushtrri