
Në kuadër të fushatës për parandalimin e keqpërdorimit të armëve të zjarrit dhe të shtënave festive, Policia e Kosovës, me mbështetjen e UNDP-së përmes Programit të Sigurisë (KSSP), po avancojnë komunikimin dhe bashkëpunimin me forumet lokale të sigurisë.
“Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për parandalimin e keqpërdorimit të armëve të zjarrit dhe të shtënave festive, Policia e Kosovës vazhdon që të mbështetet nga UNDP përmes Programit të Sigurisë (KSSP) në avancimin e komunikimit dhe bashkëpunimit me forumet e sigurisë në bashkësi.
Nëpërmjet kësaj punëtorie e cila do të mbahet nga data 14.10.2025 deri më 16.10.2025, do të rishikohen Procedurat Standarde të Veprimit (PSO), termat e referencës dhe mjetet raportuese për krime të ndryshme dhe dukuritë negative në shoqëri, duke përfshirë edhe të shtënat festuese dhe keqpërdorimin e mjeteve piroteknike.
Duke fuqizuar anëtarët e Komiteteve Lokale për Siguri Publike (KLSP) dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit dhe qytetarëve, Policia e Kosovës me përkrahjen e UNDP-së synon ndërtimin e bashkësive më të sigurta, aty ku festimi nuk kthehet në rrezik”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje theksohet se qëllimi i kësaj punëtorie është fuqizimi i anëtarëve të Komiteteve Lokale për Siguri Publike dhe përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të ligjit dhe qytetarëve, për të ndërtuar bashkësi më të sigurta, ku festimet të jenë pa rrezik.