Ambasadori i sapo emëruar gjerman në Prishtinë, Ranier Rudolph, është shprehur optimist se Kosova shumë shpejt do të formojë qeverinë e re.
Me rastin e pritjes për shënimin “Ditës së Bashkimit Gjerman”, diplomati gjerman, nënvizoi se shteti i tij është dhe do të mbetet mik dhe partner i fortë i Kosovës.
Rudolph: Jam optimist se shumë shpejt do të ketë qeveri
“Këtu në Kosovë, jam optimist që shumë shpejt do të ketë një qeveri, e cila do të jetë plotësisht e mandatuar si partner me të cilin qeveria jonë mund të bashkëpunojë”, theksoi ai.
Diplomati gjerman ritheksoi mbështetjen karshi ambicies evropiane të Kosovës si dhe integrimin e saj ndërkombëtarë.
Rudolph: Gjermania e mbështet integrimin ndërkombëtarë të Kosovës
“Gjermania është dhe mbetet një mik dhe partner i fortë. Ne jemi krenarë që kemi mbështetur rrugëtimin e Kosovës që shumë para pavarësisë së saj dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Qeveria jonë, e cila mori detyrën në maj, konfirmoi mbështetjen tonë të gjatë për Ballkanin Perëndimor si një nga prioritetet kryesore të politikës sonë të jashtme. Edhe në parlamentin tonë, Bundestagun, mbështetja dhe miqësia me Kosovën janë të thella dhe të në të gjitha partitë demokratike, siç e përjetova në shumë biseda javët e fundit në Berlin…Kosova është pjesë e Evropës. Unë dua të mbështes ambiciet evropiane të Kosovës dhe integrimin e saj ndërkombëtar. Procesi i zgjerimit të BE-së është një prioritet personal për ministrin e Jashtëm Johann Wadephul. Për secilin prej nesh në Evropë, hapi i parë drejt integrimit evropian është forcimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit rajonal me fqinjët tanë përkatës”, shtoi ai.
Presidentja Vjosa Osmani, tha se mbështetja e Gjermanisë ka qenë vendimtare në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Osmani: Mbështetja e Gjermanisë ka qenë vendimtare në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Partner në lirinë dhe pavarësinë tonë, një partner në konsolidimin tonë demokratik dhe një nga mbrojtësit më të fortë të integrimit tonë euro-atlantik. Në çdo fazë të udhëtimit tonë, nga rindërtimi te ndërtimi i institucioneve, mbështetja e popullit gjerman ka qenë vendimtare në formësimin e Kosovës që njohim sot. Një demokraci e lulëzuar, e vendosur të kontribuojë në paqe dhe prosperitet në Evropë, gjithmonë pranë jush, 100 për qind e përputhur me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian. Pra, ja një argument për ju, Zoti Ambasador. Ne jemi veçanërisht krenarë për diasporën shumë të gjallë të Kosovës në Gjermani, një nga më të mëdhatë dhe më dinamiket në Evropë”, tha ajo.
Pjesë e pritjes për shënimin “Ditës së Bashkimit Gjerman” ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, si dhe shumë personalitete diplomatike të akredituara në Prishtinë, si dhe krerë të partive politike.

