Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Të mbijetuarit rrëfejnë për dhunën seksuale gjatë luftës

 
   

Shtatë vite më parë, Vasfije Krasniqi-Goodman doli publikisht duke rrëfyer për dhunën seksuale që ka përjetuar gjatë luftës.

Edhe pse thotë se kishte dilema nëse mund të fliste, në fund ajo mori guximin për të folur publikisht.

“U bëra e guximshme, ka qenë e vështirë, edhe sot është e vështirë. Jetojmë  në një rreth që paragjykojmë shumë. Ka pasur shumë pikëpyetje a mund t’ia dalë, si do të reagojnë njerëzit”, tha Krasniqi-Goodman.

Edhe Ramadan Nishori, burri i parë i cili gjatë këtij viti foli publikisht për dhunën seksuale të përjetuar gjatë luftës, tregoi edhe një herë për përjetimin e tij.

“Kam dalë dhe kam menduar që ka edhe shumë të mbijetuar të tjerë që janë duke kaluar nëpër atë rrugë çfarë kam kaluar unë”, tha Nishori.

Rrëfimet e tyre u treguan edhe një herë në 26-vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Me këtë rast Ramadan Nishorit iu nda edhe çmimi për guxim. Ky çmim mban emrin e Vasfijes.

“Në këto 26 vjet punë dhe angazhim, nuk po shënojmë vetëm ditët e ekzistencës sonë, por edhe po shënojmë jetëra të ndryshuara, zëra të dëgjuar e mbi të gjitha edhe drejtësi të fituara”, tha, Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së.

Aty u fol edhe për rëndësinë e dokumentimit të dhunës seksuale gjatë luftës, ku deri më tani, sipas Institutit të Krimeve të Kryera, është ndërtuar një arkiv me mbi 400 metra material me audio e video incizime që janë dëshmi të krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.