Kandidati i LDK-së për kryetar të Junikut, njëherit kryetari aktual, Ruzhdi Shehu ka adresuar akuzat nga AAK pas zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 12 tetor.
Shehu përmes një postimi në Facebook tha se LDK prin e para në këtë qytet dhe se potencoi se pas numërimit të votave me kusht dhe ato të diasporës presin fitore pa balotazh, transmeton KosovaPress.
Shehu tha se AAK për shkak të humbjes në zgjedhje në Junik po organizon fushatë propaganduese dhe shpifëse për ta njollosur procesin demokratik që u mbajtë me 12 tetor në këtë komunë.
“Partia AAK dega në Junik për shkak të humbjes së zgjedhjeve në Junik, në mënyrë të organizuar janë duke zhvilluar një fushatë propaganduese dhe shpifëse me qëllim të njollosjes së procesit demokratik të zgjedhjeve të 12 tetorit në Junik si dhe me qëllim që para elektoratit të tyre të mundohen që të arsyetojnë humbjen dhe debaklin që kanë pësuar në këto zgjedhje”, ka shkruar ai.
Tutje, ai tha se akuza e AAK përmban dy elemente kryesore një ndër të cilat thuhet se janë shtuar në listën e votuesve për Komunën e Junikut në vitin 2025, rreth 300 votues me mbiemra që AAK pretendon se nuk janë të Junikut.
“Në komunën e Deçanit në vitin 2021 kanë qenë të regjistruar 39,875 votues. Ndërsa në vitin 2025 kanë qenë të regjistruar 41,444 votues apo 1,569 votues më shumë sesa në vitin 2021.Në komunën e Gjakovës në vitin 2021 kanë qenë të regjistruar 113,165 votues. Ndërsa në vitin 2025 kanë qenë të regjistruar 121,768 votues apo 8,603 votues më shumë sesa në vitin 2021.Në nivel të Kosovës (pra të gjitha komunat) në vitin 2021 kanë qenë të regjistruar 1,885,448 votues. Ndërsa në vitin 2025 kanë qenë të regjistruar 2,025,105 votues apo 139,657 votues më shumë sesa në vitin 2021”, ka shkruar Shehu.
Sipas të dhënave të KQZ nga numërimet në QKN, në Junik pas përfundimit të 100% të votave, Shehu prin me 47.91% pasuar nga Agron Kuçi i AAK-së me 40.68%.
Kujtojmë se nga KQZ do të numërohen edhe votat me kusht dhe ato me postë.

