Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Haradinaj në Forumin Ndërkombëtar të Strategjisë: Shteti forcohet me aleatë

 
   

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Strategjisë (ISF), në panelin “From Conflict to Democracy”, me ftesë të Special Competitive Studies Project (SCSP).

Ai ka ndarë historinë e Kosovës, duke përshkruar rrugëtimin nga përpjekjet për liri deri te shtetndërtimi dhe ka theksuar rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Haradinaj ka prezantuar vizionin për një të ardhme të qëndrueshme dhe ka vlerësuar rolin e vlerave perëndimore që kanë udhëhequr këtë proces.

“Në vitet ’90 nisi rezistenca paqësore, në vitet 1997–1999 u zhvillua Lufta Çlirimtare dhe më 24 mars 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA, që çuan në liri dhe pavarësi,” ka thënë mes tjerash Haradinaj.

Ai ka theksuar pritshmëritë e Kosovës për integrim më të shpejtë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Kosova pret me padurim të ecë më shpejt drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Rrugëtimi ynë tregon se liria fitohet me sakrificë, ndërsa shteti ndërtohet e forcohet në bashkëpunim me aleatët”, ka theksuar ai.