
Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur në një takim pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Bislimi dhe Sørensen kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.
Bislimi ka theksuar domosdoshmërinë që të trajtohet me urgjencë çështja e personave të zhdukur me dhunë dhe të nisë puna e Komisionit të Përbashkët, marrëveshje e dakorduar që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për bllokimin e fondeve për fermerët në Luginën e Preshevës nga autoritetet serbe, si dhe për dëmet që Serbia po i shkakton Kosovës dhe rajonit përmes bllokimit të linjave të interkoneksionit energjetik.
Në fund të takimit, Bislimi ka theksuar rëndësinë e heqjes së menjëhershme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë hap si të domosdoshëm për avancimin e procesit të dialogut dhe stabilitetin rajonal.