
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjenerallejtënant Arben Kingji priti sot në takim komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, me të cilin ka diskutuar mbi rolin e rëndësishëm të misionit të NATO-s për ruajtjen e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në rajon.
Gjatë takimit, Kingji uroi Ulutash për marrjen e mandatit të dytë në krye të KFOR-it, duke e vlerësuar këtë si një dëshmi të profesionalizmit, angazhimit dhe përkushtimit për të realizuar detyrat dhe misionin për ruajtjen e paqes, raporton KosovaPress.
“Kënaqësi të pres në një takim zyrtar komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash. Biseduam për rolin e rëndësishëm të KFOR-it për ruajtjen e sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në rajon. Përgëzova gjeneralmajor Ulutash për marrjen e detyrës në drejtimin e misionit për herë të dytë, duke ritheksuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë dhe të Forcave të Armatosura në përmbushjen e detyrimeve tona në kuadër të NATO-s”, ka shkruar Kingji në Facebook.
Ai theksoi se duke pasur parasysh sfidat dhe kërcënimet aktuale dhe të pritshme për mjedisin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, vazhdimi i misionit të NATO-s në Kosovë është më i rëndësishëm se kurrë.
Ndërsa, gjeneralmajor Ulutash shprehu konsideratat e tij për profesionalizmin dhe kontributin e çmuar të trupave shqiptare në kuadër të angazhimeve në KFOR.
Kujtojmë, komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Ozkan Ulutash gjatë vizitës së tij në Shqipëri u prit gjithashtu në një takim zyrtar nga presidenti Bajram Begaj.