Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, njësitë e Drejtorisë së Policisë së Kryeqytetit, konkretisht zyrtarët e Stacionit Policor “Veriu” në Prishtinë, kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë një person të dyshuar që ishte në kërkim për vrasje.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti për të cilin dyshohet i arrestuari kishte ndodhur më 6 shtator 2025, në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.
“Sot nga Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit, më konkretisht nga zyrtarë të Stacionit Policor Veriu në Prishtinë, është lokalizuar dhe arrestuar një person i dyshuar që ishte në kërkim për vrasje.
Rasti kishte ndodhur më 6 shtator 2025, në fshatin Llapashticë e Epërme të Podujevës.
Njësitet policore kanë ndërmarrë një operacion në Prishtinë, i cili ka rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar:
• A.H, mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ishte i shpallur në kërkim nën dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën në fjalë.
Veprimet e mëtejme lidhur me personin e dyshuar do të merren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në njoftim.

