1
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili u propozua nga mandatari Albin Kurti për postin e Ministrit për Familje dhe Mirëqenie Sociale, ka reaguar pas dështimit të formimit të Qeverisë “Kurti 3”.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se vendimi i tij për të pranuar propozimin ka qenë i menduar mirë dhe i bazuar në rrethanat aktuale politike. Ai theksoi se, pavarësisht zhvillimeve, përgjegjësia e tij ndaj njerëzve mbetet e pandryshuar.
Moneytizer Paragrafi 2
“Puna në institucione nuk është privilegj, por detyrë shërbimi ndaj qytetarëve. Pavarësisht që sot nuk u arrit të formohet Qeveria e re, ky është një realitet politik që duhet pranuar me qetësi dhe përgjegjësi”, ka shkruar Hoti.
Ai shtoi se i vjen keq për mungesën e vetëdijesimit të klasës politike për veprim të unifikuar në shërbim të interesave shtetërore dhe kombëtare.
Moneytizer Paragrafi 4
“Jam mirënjohës për vlerësimin dhe besimin që më është dhënë për të udhëhequr një dikaster kaq të rëndësishëm si Ministria për Familjen dhe Mirëqenien Sociale, pjesë e kabinetit qeveritar të z. Kurti, një ministri që përfshin kategoritë më të ndjeshme sociale në Republikën e Kosovës”, shkroi ai.
Në fund, Hoti nënvizoi se politikën e sheh si mjet shërbimi dhe jo përfitimi, duke theksuar se do të vazhdojë të punojë në shërbim të qytetarëve “aty ku është dhe aty ku i besohet puna”.
Artikull i sponzorizuar

