Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sot ditë zie kombëtare në Shqipëri, i jepet lamtumira e fundit Fatos Nanos me ceremoni shtetërore

Ish-kryeministrit Fatos Nano do t’i jepet sot (2 nëntor) lamtumira e fundit në një ceremoni shtetërore të organizuar nga Këshilli i Ministrave.

Në nder të figurës së tij, qeveria ka shpallur sot Ditë Zie Kombëtare, ndërsa flamujt në institucionet shtetërore e publike do të ulen në gjysmë shtizë.

Në orën 12:00, në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje, ndërsa çdo aktivitet publik do të ndërpritet për të respektuar kujtimin e një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të tranzicionit.

Arkëmorti i Fatos Nanos u soll me nderime nga Garda e Shqipërisë për t’u vendosur në Pallatin e Kongreseve, ku do të zhvillohen edhe homazhet.

Homazhet publike do të zhvillohen nga ora 08:30 deri në 11:00, ku qytetarët do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit ish-kreut të qeverisë.

Pas tyre do të mbahen homazhet shtetërore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve më të larta të shtetit dhe të ftuarve nga Kosova.

Në ceremoni pritet të mbajnë fjalë përshëndetëse një anëtar i familjes Nano dhe kryeministri aktual, Edi Rama, i cili do të kujtojë kontributin e Fatos Nanos në jetën politike dhe në konsolidimin e Partisë Socialiste.

Para nisjes së homazheve, kryeministri Edi Rama i ka dhënë edhe njëherë lamtumirën e fundit Fatos Nanos përmes postimit në rrjetet sociale

“Lamtumirë Fatos Nano”, shkruan Rama.

Kujtojmë se më 25 gusht 2023, Kryeministri Rama e nderoi ish-Kryeministrin Nano me medaljen e “Mirënjohjes Publike”, klasa I, “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij të veçantë në ngritjen e institucioneve demokratike, promovimin e tolerancës politike dhe rolin vendimtar në momente të rëndësishme të jetës shoqërore dhe kombëtare.

Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër do të përcjellë trupin e të ndjerit për në banesën e fundit, në një ceremoni private familjare.

Ish-kryeministri, Fatos Nano u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare dhe do të mbahet mend si një prej figurave qendrore të së majtës shqiptare dhe një lider që la gjurmë të thella në historinë politike të vendit./rtsh.al/