Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për formim të qeverisë së re nga kjo parti. Propozimi i Konjufcës u bë në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie nga i pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili tha se këtë propozim po e bënë që vendi mos të shkojë dy herë në zgjedhje.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti propozoi që tentimi i dytë për formim të qeverisë vazhdon me kabinetin e njëjtë të propozuar veçse Kurti e merr pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme, ndërsa Glauk Konjufca pozitën e kryeministrit.
Kurti: Për mandatar të dytë e propozoj Glauk Konjfucën
“E bëjë këtë propozim jo për të bërë lëshim sepse rregulli i demokracisë thotë që subjektet vendosin vetë e për Lëvizjen Vetëvendosje as nuk vendos dhe as kurrë nuk ka për të vendosur ndonjë subjekt. Megjithatë, pas diskutimesh të zgjeruara e të thelluara në kryesinë e Lëvizjes sonë unë do të propozoj si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje që jam që mandatin e dytë për krijimin e qeverisë t’ia japim nënkryetarit, aktivistit, shokut dhe mikut tonë të afërt dhe fort të besueshëm Glauk Konjufca. Këtë propozim e bëjë për shkak të vlerësimit e besimit që kam dhe që kemi të gjithë ne bashkë tek Glauku, por edhe për shkak që të mos bëhen dy herë zgjedhje edhe në dhjetor edhe në prill. Le të vazhdojmë me kabinetin e njëjtë që kam propozuar unë marr vendin e Glaukut e Glauku timin siç edhe jemi dakorduar mbrëmë në kryesi bashkë. Le të votohet më pas buxheti i shtetit dhe buxhetet komunale, le të votohet plani i rritjes së Bashkimit Evropian për fonde të vlefshme, le të bëhen disa punë të domosdoshme e pastaj shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se me propozimin e Konjufcës për mandatar të dytë të LVV opozitës po ia japin mundësinë që vendin ta kursejnë nga dy palë zgjedhje.
Madje, ai bëri edhe lutje tek partitë tjera që të mos betonohen në pozitën e bllokuesit.
Kurti: Opozitarëve iu themi ju lutem mos u betononi në pozitën e bllokuesit
“Ja pra, po ia japim mundësinë opozitës që t’ia kursej vendit dy palë zgjedhje sepse mjafton një herë në prill kur paraqitet çështja e presidentes. Ne do të shkojmë përpara me tentimin e dytë me mandatin e dytë Glauk Konjufcën..shpresoj të mos e keqpërdorin dhe të mos e humbin edhe këtë mundësi. Ne si LVV jemi gati për zgjedhje edhe sot, jemi gati edhe në dhjetor, në muajin e ardhshëm jemi edhe më shumë gati në prill në vitin e ardhshëm, por po e japim këtë mundësi si zgjidhje për këtë bllokim të kot të shkaktuar nga kokëfortësia e inati nga kalkulimet e gabuara bllokim që po bëhet i dëmshëm jo për LVV, por për Kosovën. Opozitarëve iu themi ju lutem mos u betononi në pozitën e bllokuesit ja ku e keni shansin, mos e leni që të ik edhe ky shans Kosovës sonë të përbashkët”, tha ai.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se vendi nuk duhet të shkoj në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Kurti: Vendi nuk duhet të shkoj në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend
“Vendi nuk duhet të shkoj në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend aq më pak kur qysh në fillim të vitit të ardhshëm e kemi të pazgjidhur edhe çështjen e zgjedhjes rizgjedhjes së presidentes. Nëse kjo sfidë nuk arrihet të tejkalohet brenda afatit kushtetuese vendi duhet të shkoj përsëri në zgjedhje të reja, por pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet”, tha ai.
Megjithatë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti shprehu gatitshmërinë e partisë së tij për zgjedhje kurdoherë e në çdo rast që mbahen ato.
Kurti: Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur për zgjedhje
“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e 2025-tës, ka për të qenë fituese edhe në 2026-tën, por edhe vitet e ardhshme po duket ndihmuar nga mentaliteti i vjetruar ekstrem jo bashkëpunues i partive të tjera. Sidoqoftë, kurdoherë e në çdo rast ne jo vetëm që jemi të gatshëm për zgjedhje, por jemi edhe të përgatitur për to. Kemi dashur dhe kemi ofruar mundësi për zgjedhje qysh në qershor kur e pamë që nuk donin bashkëpunim, e kemi marr disa herë prej tyre refuzimin e ftesave për bashkëpunim gjersa na e kanë bërë të pamundshëm çfarëdo qeverisje me koalicion me ta. Jemi në këtë situatë për shkak të kalkulimeve të humbësve që po përpiqen të zvogëlojnë humbjet e tyre me këso makinacionesh, por kjo është e pamundur. Realiteti nuk ndryshohet nëse nuk e pranon atë e këta duhet t’ia pranojnë vetës faktin se kanë humbur”, theksoi kryeministri në detyrë.
Në balotazhin e 9 nëntorit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se partia që udhëheqë ai duhet të dal triumfuese.
Kurti: Në balotazh Vetëvendosje të dal triumfuese
“Duhet dhe do të ishte shumë mirë e më së miri për qytetarët e këtyre komunave që numri 105 pra Vetëvendosje të dal triumfuese, sepse triumfi i kandidatëve të Vetëvendosjes është fitorja vërtetë e qytetarëve e lagjeve dhe e fshtrave…Kudo ku LVV është në balotazh me LDK ose PDK këto të fundit po bëhen bashkë kundër Lëvizjes me idenë që të pamundësojnë ndryshimet edhe në nivele lokale me të vetmit për t’i dëmtuar kandidatët e Lëvizjes..Me imponime të marrëveshjes nën tavolina nga PDK, LDK dhe AAK përveçse e kanë minuar demokracinë e tyre të brendshme nuk kanë dashur t’ia dinë fare për situatat lokale në komuna ku për ta dëmtuar Vetëvendosje pranojnë të mbështesin edhe qeverisjet aktuale të cilat i kanë kritikuar e nuk kanë lënë gjë pa u thënë përgjatë rundit të parë të zgjedhjeve”, tha ai.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që në përpjekjen e parë dështoi të marrë votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër.
Më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja e vendit, Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Ndërsa, gjatë takimit që presidentja Osmani ka zhvilluar me partitë javën e kaluar, Kurti kishte kërkruar disa ditë kohë për t’i kthyer përgjigjje nëse do të tentoj të formoj qeverinë, ndërsa partitë tjera janë rreshtuar për t’u mbajtur zgjedhjet.

