Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Avioni në ShBA shpërthen në flakë pas ngritjes, humbin jetë 7 persona

Shtatë persona humbën jetën dhe të paktën 11 të tjerë u plagosën kur një aeroplan mallrash i kompanisë UPS u rrëzua dhe shpërtheu në flakë gjatë ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar i Louisville Muhammad Ali, mbrëmjen e së martës.

Guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, deklaroi se tre anëtarët e ekuipazhit ndoshta janë mes viktimave. “Kushdo që ka parë imazhet e përplasjes e di se sa i dhunshëm ishte ky incident”, deklaroi ai.

Fluturimi 2976 i UPS, me destinacion Honolulu, Hawaii, transportonte rreth 38,000 gallonë (144,000 litra) karburant kur doli nga pista dhe goditi disa ndërtesa aty pranë, duke shkaktuar shpërthime të fuqishme dhe re të dendura tymi.

Zjarri përfshiu të paktën dy biznese afër aeroportit, përfshirë një kompani riciklimi nafte. Autoritetet shpallën fillimisht një urdhër strehimi për banorët brenda një rrezeje prej pesë miljesh për shkak të rrezikut nga ndotja dhe shpërthime të mundshme, i cili më pas u reduktua në një milje.

Shefi i zjarrfikësve të Louisville, Brian O’Neill, tha se zjarri është “pothuajse nën kontroll”, por ekipet po vijojnë kërkimet për viktima të tjera. “Na duhen qindra persona për ta izoluar dhe për ta shuar plotësisht një zjarr të kësaj shkalle, shtoi ai.

Të gjitha fluturimet e nisjes në aeroport u anuluan, ndërsa vendi i rrëzimit do të mbetet “skenë aktive për disa ditë”, sipas policisë lokale.

Guvernatori Beshear u kërkoi qytetarëve të mos afrohen në zonë, duke paralajmëruar për rrezikun e materialeve të ndezshme. Ai tha se Byroja Kombëtare e Sigurisë së Transportit (NTSB) do të drejtojë hetimin mbi shkaqet e aksidentit, me ekipin hetimor që pritet të mbërrijë në Kentucky këtë të mërkurë (5 nëntor).