Doktori i Urgjencës në Komunën e Malishevës, Festim Sylejmani, ka dhënë detaje të reja mbi vrasjen e dyfishtë në Golluboc të Malishevës.
Ai ka thënë se të dyja viktimat janë sjellë pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë.
Dy vëllezër janë vrarë të enjten nga dhëndri i tyre në Golluboc, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Doktori Sylejmani tha se viktimat i kanë pasur nga dy plumba në gjoks.
Sylejmani: Viktimat s’kanë pasur shenja jete
“Pacientin e kam parë dhe e kam ekzaminuar, por s’ka pasur shenja jete hiç. Bebëzat i ka pasur të zgjeruara komplet dhe parametrat vitalë i ka pasur zero. Ka pasur dy plumba në gjoks, i kemi edhe raportin dhe fotografitë. Pacienti tjetër në Kijevë, pasi ata i kam gjetur aty dhe kam shkuar si mjek i urgjencës prej Malishevës në Kijevë, ka pasur po ashtu dy plagë. Njërën e ka pasur në gjoks dhe tjetrën në anën e djathtë. Kur kam mbërritur, të dy kanë qenë pa shenja jete, po ashtu edhe kur i ka pranuar doktoresha kanë qenë pa shenja jete,” tha ai.
Në raportin e policisë thuhet se dy vëllezërit, rreth orës 11:30, u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.
I dyshuari, sipas policisë, është nga një fshat i Drenasit, i cili është identifikuar, por nuk është arrestuar ende.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, tha se dorasi ka raporte familjare me viktimat, por zyrtarisht nuk dihen ende motet. Ai theksoi se i njëjti është në arrati, por shtoi se po punojnë së bashku me Policinë e Kosovës për kapjen e tij, raporton KosovaPress.

